Nga FATMIRA NIKOLLI*

E ndërtuar në vitin 1931 si klinikë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapos, ndërsa me fillimet e regjimit të ri, u bë qendër e Sigurimit (Policia politike), e përdorur për hetime, deri më 1950-ën kur godina u kthye në zyrën qendrore të seksionit teknik dhe shkencor të Sigurimit. E ndodhur në qendër të qytetit, në anën e kundërt të Katedrales Orthodokse, pranë sheshit “Skënderbej” dhe Bankës Qendrore të Shqipërisë, ajo që në komunizëm njihej si “shtëpia e gjetheve”, do të hapet për publikun në formën e një muzeu. Ministria e Kulturës, prezanton për publikun në datën 23 janar projekt-idenë e saj.

Muzeu
Nuk do të dalë jashtë funksionit që kishte, veçse tanimë do të jetë muze. Në të, do të shfaqet kontrolli totalitar dhe kudondodhja e tij në një formë origjinale, nëpërmjet përgjimeve dhe spiunimeve elektronike nga vendi ku ato kryheshin. Sipas Ministrisë së Kulturës, ajo ndahet në tri rrathë. I pari, përgjimi kabllor dhe kontrolli mbi korrespondencën, mbasi arsyeja pse u zgjodh kjo shtëpi për këto funksione, ka të bëjë me afërsinë që ajo ka me zyrat e Postës qendrore dhe telefonisë. Rrethi i dytë, ka të bëjë me aspektin qendror që ky seksion ka pasur në mbledhjen e të dhënave të përgjimit nga të gjitha seksionet e tjera të Sigurimit, ndërsa rrethi i tretë konsiston në përgjimin në përgjithësi, si pjesë e aktiviteteve të përmendura në rrathët e mëparshëm. Në rrethin e tretë, zinte vend të rëndësishëm edhe rrjeti i gjerë i informatorëve.

“Përveç historisë së Shtëpisë dhe funksioneve të Seksionit Teknik dhe Shkencor, muzeu do të përshkruajë fakte dhe dimensione të tjera në lidhje me kontrollin e Policisë Sekrete. Një nga hapësirat e muzeut do t’u dedikohet edhe përgjuesve – mikrofonave të fshehur. Një tjetër hapësirë u kushtohet ‘Mikrofonave të gjallë’, informatorëve; një e tretë paradigmës së ‘Armikut’ (objekti i përgjimit), si një mit dhe imazh paranojak, si dhe gjithëpërfshirjes së tij që e bënte të domosdoshëm gjithëpërfshirjen e përgjimit”, sqaron MK, në faqen e saj online. Mandej, një hapësirë e katërt është menduar për lidhjen mes idesë së armikut të brendshëm dhe armikut të jashtëm, e cila ishte veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri për arsye të vetizolimit të saj, dhe do të përshkruajë përgjimin kundrejt të huajve.

Një hapësirë e pestë, tregon ambientet e një dhome ndenjeje tipike shqiptare të viteve ’70, me dekorime që do shihen edhe gjatë hapësirave të dedikuara për përgjuesit dhe të përgjuarit. Në një hapësirë të gjashtë është lënë vend për laboratorin teknik dhe shkencor të Seksionit që merrej së shumti me zbulimin e fotove dhe filmimet sekrete, duke u ndërthurur kështu vizualja (pamorja) me dëgjimoren. “Kjo hapësirë do të quhet ‘Panopticon dhe Panacusticon’ dhe do jetë kurora filozofike e idesë qendrore të muzeut, asaj të kontrollit total. Përveç shfaqjes së objekteve autentike të Shtëpisë, do të përmbajë referenca vizive (pamore) dhe tekstuale të burgut ideal, ‘Panopticon’-it, dhe nga këtu tek utopia e botës perfekte, e supozuar si shoqëria socialiste, edhe pse mori formën e një burgu në të gjithë vendin”, thuhet në sajtin e MK. Pritet që gjuha e muzeut të jetë multimediale me një theks të fortë tek autentikja: çka do të thotë me sende origjinale të përdorura në Shtëpi, në video, në dokumente arkivore, në grafikë të dhënash, në tekste shpjeguese dhe sintetike etj.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb