Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të Urës e Madhe e Kukësit, e cila u hap sot.
Rama e konsideroi urën një vepër mbresëlënëse, e cila çliron përfundimisht qarkullimin e ngërçosur prej vitesh.
“Ky investim i jep një përgjigje kuptimplotë të gjitha qyqeve që mbushën rrjetet sociale me vrer lajmesh të rreme, ndërkohë që po siguroheshin edhe akseset e komuniteteve përreth. Është shumë e rëndësishme që ura hapet për të gjithë, edhe për ata që çfarë nuk thanë për urën, deri te lajmi nga penxherja që ju këputën këmbët urës. Ndërkohë që kjo nuk ka këmbë sepse e ka trupin të shtrirë përgjatë një hapësire drite, që është ndër më të mëdhatë e një ure në Europë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se falë talentit dhe eksperiencës së projektuesit italian, por edhe falë punës së bërë nga kompania, ajo u hap.
“Ura mbaroi por duheshin plotësuar edhe kushtet për 2 apo 3 komunitete të tjera rreth kësaj zone, të cilave iu duhej dhënë akses që të garantohej lehtësia e transportit për ta”, tha Rama.
(BalkanWeb)