Nga: Rexhep Qosja

Dita e 26 qershorit ishte një ditë e rëndësishme për qeverinë shqiptare, për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar në përgjithësi. Këtë ditë shqiptarët morën premtimin se dyert e Bashkimit Evropian do të hapen për Shqipërinë: në vitin 2019 do të fillojnë bisedimet për integrimin e Shqipërisë në këtë Bashkim që u ka sjellë premtime historike popujve evropianë.

Rruga e Shqipërisë deri te kjo e arritur historike nuk ishte e lehtë. Dhe nuk ishte e lehtë pse duhej bërë ndryshime, duhej bërë reforma në një varg fushash të jetës politike, shoqërore, shtetërore e të tjera, që s’ishin menduar më parë, por edhe pse duhej mënjanuar pengesat që qeverisë shqiptare i bëheshin prej disa forcash politike bashkatdhetare.

Vonesat e njohura politike duhej tejkaluar me nxitime që të shpeshtën e herëve nuk pranohen lehtë prej shkaktarëve të tyre.

Kërkesat evropiane duhej përmbushur jo vetëm me programe, por në të njëjtën kohë edhe me vlera, me sjellje, me mendimet, me standarde evropiane në jetën e përditshme shoqërore, politike, arsimore, kulturore e të tjera të shqiptarëve.

Dhe, kështu qeveria shqiptare në krye me Edi Ramën bënte përpjekjet më të frytshme të njëkohshme: për ta çuar Shqipërinë në Evropë dhe për të sjellë Evropën në Shqipëri.

Mund të konsiderohet e arritur e qeverisë shqiptare dhe e Shqipërisë edhe kjo e dhënë: më shumë se asnjëherë në historinë shqiptare sot është shtuar numri i miqve evropianë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe, kjo u pa edhe më 26 qershor.

E uroj Shqipërinë për këtë fitore të madhe politike e diplomatike, që përmban idealin e popullit shqiptar për të qenë edhe me kuptimet e me vlerat jetësore aty ku e ka caktuar gjeografia: në Evropë e me Evropën.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/06/29/hapja-e-dyerve-te-vendim-historik-per-shqiperine/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: