Analisti Fatos Lubonja në ‘Opinion’ në News24 duke folur për konferencën e 3-të ndërqeveritare Shqipëri-BE ku u hap grup-kapitulli i 6 në negociatat me Unionin, tha se këto lloj konferencash i shërbejnë propagandës.

Lubonja u shpreh se vërtet bëhen konferenca, vërtet firmosen ligje dhe konventa europiane, por këto nuk zbatohen.

“Ne po i ikim normave europiane, po shkojnë drejt një shteti kriminal, ne po largohemi gjithnjë e më shumë nga Europa”, tha Lubonja.

Analisti u shpreh se zyrtarët e BE-së janë me dopio standarde, përdorin hipokrizi për shkak të atyre lobingjeve që bëhen.

“Kemi rastin e Italisë, e cila me kampet e emigrantëve në Lezhë e përdor Shqipërinë si gogol, pra iu thotë emigrantëve po erdhët këtu do ju çojmë në Shqipëri, ndërsa në anën tjetër hapen negociatat”, tha Lubonja.

Ai tha se Shqipëria ka probleme me ligjin, me demokracinë, i është nënshtruar krimit dhe narko-shtetit.

Lubonja tha se nëse Europa ecën me këto norma sikundër deri më sot, në 2030 nuk do të ketë Bashkim Europian. “Kemi politikanë hipokritë në njërën anë, kemi edhe partitë e ekstremit të djathtë që po fitojnë terren në vendet e BE-së. Kjo mund të çojë drejt shkrirjes së BE-së në 2030”, tha Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb