BRUKSEL- Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka shfrytëzuar samitin e përvitshëm të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “Friends of Europe”, për të shprehur pritshmëritë e Shqipërisë.

Për kreun e diplomacisë shqiptare më 12 dhjetor pritet që ministrat e Jashtëm të bien dakord me rekomandimin e Komisioni Europian për të nisur bisedimet me Shqipërinë, si dhe arritjen e një marrëveshje mes Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në mënyrë që përgjatë 2017 të mund të paraqitet një progres raport për vendet që synojnë të bëhen anëtare.

“Presim që ministrat e Jashtëm të mbështesin qasjen e Komisionit Europian për rekomandimin fillim e bisedimeve për hapjen e negociatave, me bindjen që do zbatohet ligji i vettingut. Do vijojmë për realizimin e 5 prioriteteve. Presim konfirmim nga Komisioni Europian që përcakton progres në një sërë fushash. Shpresojmë që Komisioni përgjatë 2016 të raportojë për hapat e Shqipërisë drejt tryezës për anëtare. Do mirëpresim çdo mandatim që Këshilli do t’i japë Komisionit, për të përgatitur punën deri në uljen e Shqipërinë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim”, tha ministri Bushati.

Në të njëjtën kohë, ai nënvizoi bashkëpunimin e suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë, duke theksuar se “vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë partnerë të rëndësishëm dhe luajnë një rol të posaçëm në arkitekturën e sigurisë se kontinentit. Ndaj kjo qasje pozitive strategjike duhet reflektuar dhe në politikën e zgjerimit e cila do të jetë në përfitimin reciprok të të dyja palëve”, nënvizoi Ministri Bushati.

Duke u ndalur në miratimin e ligjit të Vetting-ut për jetësimin e reformës në drejtësi, ministri Bushati u shpreh se “Komisioni Evropian ka vënë në dukje rëndësinë e veçantë të zbatimit të ligjit të Vetting-ut si bazë e reformës në drejtësi dhe ndikimin që do të ketë në përmbushjen e prioriteteve të tjera kyçe”.

Ministri Bushati komentoi si pozitive praninë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në këtë samit.

“Të them të drejtën e vura re që zoti Basha ishte në sallë së bashku me pjesëmarrësit e tjerë, dhe e vlerësoj praninë e tij të heshtur në këtë sallë, aq më tepër një panel ku diskutohej për politikat e zgjerimit dhe zhvillimit në Ballkanin Perëndimor. Përsa i përket asaj që zoti Basha ka deklaruar në mbështetje të procesit të negociatave me Shqipërinë, them më mirë vonë se sa kurrë”, thotë ministri Bushati.

Në samitin me temë “Ballkani – Duke nxitur ndërlidhjen gjatë rrugës për në BE”, u diskutua për rigjallërimin e procesit të integrimit evropian, nxitjen e biznesit dhe investimeve në rajon, ndërlidhja në rajon, migracioni, punësimi, bashkëpunimi rinor, dhe rreziku i radikalizmit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb