Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në hapjen e rezidencës artistike, “Vila 31 x Art Explora” duke thënë se u shndërruar në një ambient të hapur e kulturor për të pritur artistët shqiptarë e të huaj.
Rama u shpreh se ky projekt u realizua në një kohë rekord, ndërsa kujtoi vizitën zyrtare të presidentit të Francës Emmanuel Macron në Tiranë, kur ky projekt u prezantua.
Rama shtoi se do t’i dërgojë më vonë Macron-it një video nga hapja e qendrës, sepse, siç tregoi ai, kur i tha kreut të shtetit francez se qendra do hapej në më pak se dy vjet, “ai kujtoi se dëgjoi një gënjeshtër ballkanike”.
Më vjen mirë që sot mbaron një rrugë shumë e gjatë e asaj se çfarë duhet të ndodhte me këtë godinë dhe dilemave se çfarë programi mund të kishte kjo godinë, tundimeve për ta shembur e për ta kthyer në diçka tjetër dhe mbaron në mënyrën më të mirë sipas meje.
Ky partneritet u përmbush në një kohë rekord, që për burokracinë franceze do ishte e paimagjinueshme. Do duhej të kalonin sa e sa presidentë të Francës për të hapur qendrën. Ne ishim bashkë këtu me presidentin kur ai bëri historinë e parë zyrtare të një presidenti francez në historinë e marrëdhënieve tona. Sot me kënaqësi do i dërgoj një video nga hapja e qendrës, se kur i thashë që do hapet në më pak se dy vjet kujtoi se dëgjoi një gënjeshtër ballkanike nga ato që ka lexuar nëpër libra.