Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të ndihmojnë që më në fund të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke.


Këto komente Haradinaj i ka bërë në fillimin e punimeve në rrugën “Rruga e tre Heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”, Prishtinë – Mitrovicë, segmenti Lumi i Madh – Gojbulë.


Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se kjo rrugë është një arterie që lidh ekonominë e vendit me ekonomitë fqinje, edhe me Serbinë.


Kreu i Qeverisë tha se interesi i Kosovës është që të jetojnë në një Ballkan ku të gjithë janë të lirë dhe ku të gjithë e njohin njëri tjetrin në kufijtë e vet.

Derisa të vije tek kjo ditë, Haradinaj tha se punët që janë në përgjegjësinë e tyre do t’i përfundojnë, duke thënë se do të ndërtojnë rrugë e ura.

“Është një arterie që mund ta lidh ekonominë e vendit tonë me ekonomitë fqinje, pra me ekonomitë e Serbisë. Interesi ynë është që të jetojmë në një Ballkan ku të gjithë janë të lirë, të gjithë janë të respektuar, e njohin njëri tjetrin në kufijtë e vet, me të drejtat e veta dhe njëkohësisht një tregti e lirë dhe një shkëmbim. Kuptohet për të arritur deri tek kjo ditë ne ato që janë në përgjegjësitë tona do t’i kryejmë, pra do të ndërtojmë rrugë e do të ndërtojmë ura dhe do të hapim ura, sepse ajo është detyra jonë. Por, po ashtu i bëjmë thirrje partnerëve tanë, Bashkimit Evropian, ShBA-ve që të na ndihmojnë për atë që nuk është në kapacitetin tonë, që më në fund të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke”, tha kryeministri.

(BalkanWeb)