Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se masa ndaj importit të mallrave serbe nuk duhet të hiqet derisa Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Këto deklarata, Haradinaj i bëri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për politikën e Jashtme të vendit.

“Unë mendoj se masat që kemi vendosur ndaj prodhimeve që vijnë nga Serbia duhet të jenë të përheshme deri në njohje, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran nuk duhet ta heqim” tha Haradinaj.

Ai më tej bëri thirrje të mos ketë tërheqje ndaj këtij vendimi edhe përkundër faktit se mund të ketë siç tha “lutje, përkrahje apo këshilla si kundërvlerë për këto masa”.

Pasi doli nga seanca e Kuvendit, Haradinaj u tha gazetarëve se u ka shkruar letër ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Përfaqësueses së BE-së, Nataliya Apostolova, përmes së cilës i ka njoftuar me arsyet e vendosjes së taksës.

“U kam shpjeguar faktet pse kemi ardhur deri te ky vendim në çka jemi bazuar. Është një vendim i Kosovës, sovrane në mbrojtje të interesit të vet, por është i argumentuar pse e bëjmë këtë, kryesisht ndërlidhet me mosrespektimin e marrëdhënieve tregtare Kosovë-Serbi, nga ana e Serbisë duke vënë bllokadë tarifore për produktet tona, shtuar këtu edhe agresivitetin ndaj Kosovës”, tha Haradinaj.

Deklarata e kryeministrit Haradinaj bëhet një ditë pasi Qeveria e Kosovës vendosi të rrisë taksën doganore ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës nga 10 përqind sa ishte deri tani, në 100 përqind.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që kjo taksë të hiqet menjëherë pasi përbën shkelje të marrëveshjes së tregëtisë së lirë, e njohur si CEFTA.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb