Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka folur për “incidentin” që ka pasur me përfaqësuesen e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini gjatë një takimi.
Në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Haradinaj tha se është e vështirë të arrijmë një marrëveshje finale me Serbinë në kohën kur Mogherini është në fund ta mandatit dhe në strukturat e BE-së ka zgjedhje.


“Kam pasur thyerjet e mia me zonjën Mogherini si kryetar i qeverisë së Kosovës. Në takimin e parë i kam përmend asaj rolin e Amerikës në negociata, ajo nuk ka dalë me mua në konferencë për shtyp. Më ka thënë ‘zoti Kryeministër, nëse ti mban këtë qëndrim ne nuk mund të dalim bashkë në konferencë'”.


“I kam thënë ‘në rregull zonja Mogherini shihemi në mbledhjen e ardhshme’. Unë kam kërkuar rolin e Amerikës në tavolinë. Nuk është krejt rastësi se si ka hyrë Amerika në bisedime. Ne jemi duke parë fatkeqësisht vetëm sot për sot”, tha ai.


Kryeministri ka thënë se zonja Mogherini e ka të lehtë të luajë rolin e saj në ndërmjetësimin mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mogherini duhet të nxjerrë arkivat e veta dhe të thërrasë amerikanët, ata kanë një material…Le të vijë në Kosovë vetë e katërta dhe të sjellë një kontratë. Të thërrasë delegacionin shtetëror dhe ne shohim nëse duam të aprovojmë marrëveshjen. Nuk jam për të shtyrë aspak marrëveshjen, por jo të paguajmë një kosto”, tha ndër të tjera Haradinaj.