Nënkryetari i Partisë së Ramush Haradinajt, i ftuar në emisionin “A Show” në News 24, iu përgjigj interesimit të moderatorit Adi Krasta në lidhje me rastin e dorëheqjes së prokurorit special Elez Bakaj, pak kohë më parë.

Referuar akuzave kundër Haradinaj, të artikuluara së fundmi edhe nga Albin Kurti, se kryeministri i dorëhequr e kishte frikësuar dhe kërcënuar prokurorin, Nitaj tha se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

“Prokurori është larguar para se të hapej çështja. Haradinaj e ka ftuar dhe i ka vënë në dispozicion dokumente sekrete të zyrës së tij, ai është larguar nga vendi duke mos e përfunduar punën e tij”,- tha Nitaj.

Kujtojmë që prokurori special, Elez Blakaj është dorëhequr pas kërcënimeve dhe presioneve, siç ka deklaruar, gjatë kohës sa po hetonte rastin e veteranëve të UÇK-së. Megjithatë ai nuk ka përmendur emra të përveçëm kur ka folur për kërcënimet.

Sa për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, Nitaj tha se Haradinaj do triumfojë sërish.

“Kundërshtarët politikë do përpiqen të mos ketë zgjedhje, por Kosova do shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda dy muajsh, do mbahen në fillim të shtatorit. Aktualisht politikani më popullor në Kosovë është Haradinaj. Këto zgjedhje do jenë referendum për të. Do rikthehet më fuqishëm se kurrë”,- shtoi nënkryetari i AAK.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb