Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, së fundmi ka treguar se përgjatë viteve 2025-2029 të qeverisjes së partisë së tij, parashikohet që pensionet për kontributdhënësit të mos mbeten nën pagën minimale, që sipas tij, do të arrijë në 500 euro.
Këtë zotim Haradinaj e bëri gjatë një bisede në Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës të mërkurën.
“Projeksionet tona për 2025-2029 parashikojnë një rritje prej 50% për të gjitha skemat pensionale. Jemi të vendosur që pensioni për kontributdhënësit të mos mbetet nën pagën minimale, e cila do të arrijë në 500 euro. Gjithashtu, po punojmë për të rishikuar uljen e kriterit prej 15 viteve përvojë pune, i cili aktualisht pengon shumë qytetarë të përfitojnë atë që meritojnë. Është zotim yni edhe rritja përvitshme prej 10% e pensioneve për të gjitha kategoritë”, ka shkruar ai në Facebook.