Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se nuk është koha për zgjedhje të reja, ndërsa theksoi rëndësinë e implementimit të rezultatit që prodhuan zgjedhjet e 6 tetorit. Në një konferencë për mediat Haradinaj vlerësoi zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën duke shtuar se partitë politike duhet të respektojnë çfarë vendosi sovrani.


“Zgjedhjet kanë qenë më të mirat të mundshme. Ne duhet të bëjmë reformë zgjedhore, t’i shkurtojmë këto kohë të ankesave. Lidhur me atë se cila parti hyn në parlament është vendim i votuesve. Aleanca është në opozitë. Nuk kemi bërë ankesë, as s’kemi kërkuar stërzgjatje të këtij procesi.


Është herët të flitet për zgjedhje të reja, duhet të rrimë në pozicionin e implementimit të rezultatit zgjedhor. Nuk ka kuptim të flitet për zgjedhje tashmë. Nuk është një ushtrim i thjeshtë dhe i lehtë. Duhet të jemi të respektueshëm të asaj që ka vendosur sovrani”, ka thënë Haradinaj.
(BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb