Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën duke komentuar kritikat e Jeff Hovenierit ndaj Qeverisë së Kosovës, ka thënë se shprehja e ambasadorit amerikan se “nëse dëshiron të bëhesh pjesë e një klubi, atëherë mos urino te dera e klubit” është shprehje e dhimbjes dhe e pakënaqësisë për rrugën e gabuar, që sipas Haradinajt, ka zgjedhur Kosova.

“Këmbanat bien për ata që kanë vesh”, ka paralajmëruar Haradinaj.

Hovenieri paraditen e sotme në Prishtinë mori pjesë në Samitin e Kosovës për Paqe e Demokraci (KPDS) të titullar “Realitete radikale: dinamika etno-politike dhe integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor”. Nga aty, ambasadori u shpreh se mesazhi i SHBA-së për Kosovën e Serbinë “është i qartë dhe i thjeshtë”. Ai bëri thirrje që Kosova dhe Serbia duhet ta marrin më seriozisht dialogun dhe të zbatojnë obligimet.

“Gjyshi im ka thënë, dhe ju lutem më falni për karakterin e shëmtuar paksa, se nëse dëshiron të bëhesh pjesë e një klubi, atëherë mos urino te dera e klubit”, ka thënë Hovenier.

E Haradinaj ka pasur fjalë të mira për ambasadorin amerikan. Në një status në Facebook, duke iu drejtuar Hovenierit, kryetari i AAK-së e ka përshkruar si “njeri me vlera të larta njerëzore, top diplomat me urtësi të madhe politike dhe me dashuri për Kosovën”. Këto shprehje të Hovenierit, sipas ish-kryeministrit, janë të pazakonta, por “është shprehje e dhimbjes dhe e pakënaqësisë për kursin dhe rrugën e gabuar që ka përzgjedhur Kosova”.

“Ambasadori Amerikan Jeffrey Hovenier ka qenë i kyqur në temën e Kosovës që nga lufta çlirimtare e popullit tonë e  posaçërisht gjatë negociatave nën udhëheqjen e Marti Ahtisaarit. Ambasadori Hovenier shquhet si njeri me vlera të larta njerëzore, top diplomat me një urtësi të madhe politike, njerëzore dhe intelektuale. Ai ka gjithmonë fjalë të përzgjedhura dhe ka një dashuri të madhe për Kosovën dhe popullin e saj. Shprehja e tij ‘mos urinoni nga klubi ku doni të hyni’ është shprehje shumë e pazakontë e tij. Kjo shprehje e pazakontë është  shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë për kursin dhe rrugën e gabuar që ka përzgjedhur Kosova. Njerëzve që e duan Kosovën si Hovenier kjo ju dhemb. Kosova është keq dhe ka trend të përkeqësimit. Këmbanat po bien për të gjithë ata që kanë vesh!”, ka shkruar Haradinaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: