Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për sulmin fizik ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petrovic.

“Në emër të Qeverisë së Kosovës, dënoj ashpër sulmin verbal dhe fizik ndaj deputetit të Kuvendit, Sllobodan Petrovic. I papranueshëm çfarëdo sulmi që cenon mendimin e lirë dhe bindjet politike të kujtdo qoftë. Ftoj organet e hetuesisë që të zbardhin rrethanat dhe sulmuesit të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Deputeti serb i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petrovic është sulmuar sot në afërsi të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar vetë Petrovic gjatë një konference për media.
“Jam sulmuar fizikisht afër kësaj ndërtese, pasi edhe ju e dini se muajve të fundit personalisht ditëve të fundit, ndaj meje dhe partisë që unë e udhëheq është bërë një fushatë e egër”, ka thënë Petrovic.

Ai ka shtuar se personi i cili e sulmoi është Milan Kostic, këshilltar i ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb