KOSOVE

Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se Samiti i Berlinit ka normalizuar rajonin, dhe që pjesa kryesore e këtij samiti i është kushtuar marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Haradinaj,  ka komentuar edhe takimin e ardhshëm i cili do mbahet pas 3 muajsh në Paris.


“Kosova duhet të plotësojë formatin e tij, sepse nuk bëhet vetëm fjalë për një takim, por për një dialog, dhe se në dialog duhet të jetë edhe delegacioni i mandatuar nga parlamenti. Përveç presidentit Thaçi, duhet të jenë edhe Limaj, Pacolli e Ahmeti. Po shkojmë në një proces serioz. Sa i përket marrëdhënies Kosovë-Serbi, besoj se tashmë jemi formuar, dhe nuk shkohet në dialog për shkëmbim territoresh por për njohjen reciproke. Dhe është qartësuar se nuk do të diskutohet për taksën”.-është shprehur Haradinaj.


Ndër të tjera, Haradinaj është ndalur edhe te takimi i Parisit të cilin e  ka cilësuar si më serioz, ndërsa ka shtuar se duhet të koordinohen me Amerikën.


“Takimi i Parisit është më serioz, dhe duhet të koordinohemi me Amerikën sepse është garantuese e një marrëveshje”.

Gjithashtu, kryeministri deklaroi se idetë për shkëmbimin e territoreve tashmë i përkasin të kaluarës.

(BalkanWeb)