KOSOVË

Kryeministri Ramush Haradinaj, në akademinë për 20-vjetorin e themelimit të Batalionit “Atlantiku” theksoi se historia e Kosovës u bë më e begatë.

“Për ato kohë të vështira të kombit tonë do të flitet gjithnjë, brez pas brezi, dhe kur flitet për luftën e Kosovës, në këtë historinë tonë edhe batalioni Atlantiku e ka pjesën e vetë. Historia jonë bëhet më e begat për shkak se edhe ata që ishin më së largu iu bashkuan atdheut. Kur e flasim historinë tonë është e dhimbshme, është histori martire. Në emër të Kosovës janë thurur lavde e mite nga të tjerët, dhe ende vazhdojnë të thuren për tokën tonë. Por ajo çka është me rëndësi, është se kanë zënë vend dëshmorët, martirët, kontributi jua, flijimi i vëllezërve Bytyçi, dhe e drejta e të gjithëve”-tha ai.

Haradinaj tha se sot Serbia po përdorë çdo mjet për të mohuar krimet e kryera gjatë luftës mbi popullsinë civile shqiptare.

“Tradita e bashkimit në përvjetor duhet të ruhet dhe të vazhdohet. Ne në këto ditë po i kujtojmë flijimet tona anekënd atdheut,. Serbia sot po provon ta mohoj krimin që ka bërë, po provon ta ndërroj të vërtetën duke u paraqitur viktimë. Si atëherë edhe sot ju jeni të nevojshëm për atdheun, që t’i tregojmë botës, se jo vetëm që ishim viktima, por mbi ne ushtruan gjenocid. Na është marr çdo gjë, edhe buka në sofër, gjysma e popullit të Kosovës është përzënë, gjysma tjetër ka jetuar me torturë. 20 mijë femra të Kosovës janë viktima të dhunës seksuale, duhet t’ua tregojmë këto botës”, ka theksuar ai.

Shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj ka thënë se me ndihmën e Batalionit “Atlantiku” është momenti që botës t’i tregtohet e vërteta.

“Duhet të nxirre në dritë e vërteta e Kosovës, të jemi bashkë që të mos lejojmë dikë ta tjetërsoj të drejtën tonë. Kërkojë ndihmën e juaj të rrimë të bashkuar, sepse puna e Kosovës nuk është kryer krejt, nëse jemi bashkë duhet ta kryejmë me nder këtë punë”-shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb