TIRANE – Ministria e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike ka nisur konsultimin e projekt-planit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjeteve kabllore ajrore, një plan për të shpëtuar qytetet nga rrjetat e kabllove dhe telave. Nisma e krijimit të këtij projekt-plani është ndërmarrë nga Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito me mbështetjen e Kryeministrit, Edi Rama. Ky projekt-plan ka si qëllim kryesor hartimin e një sërë masash për zgjidhjen e problemeve me infrastrukturën kabllore ajrore të rrjeteve të telefonisë fikse dhe internetit.
Në fjalën e saj Ministrja Hartio tha se “situata është emergjente për shkak të infrastrukturës kaotike të rrjeteve kabllore në të gjitha qytetet. Ky projekt plan ka një rëndësi të veçantë sepse sot interneti është një shërbim i domosdoshëm për secilin prej nesh dhe për këtë arsye duhet të ndërtojmë standarde për të realizuar infrastrukturë të qenësishme.”
Ministrja Harito theksoi se bashkëpunimi mes palëve duke përfshirë pushtetin vendor, operatorët e ofrimit të internetit dhe telefonisë fikse si dhe institucione të tjera është i rëndësishëm në këtë proces.
“Duhet ta shikojmë të gjithë bashkë këtë si një sfidë sepse jam e bindur që asnjë prej nesh nuk dëshiron të jetojë në një qytet që ka këtë situatë kaotike dhe të rrëmujshme. Nuk duhet të ndjehemi që kjo është çështje e të tjerëve është çështje e të gjithëve ne. Të gjithë bashkë jam e bindur që do t’ia dalim brenda një kohe më të shkurtër seç e mendojmë”.
Harito gjithashtu nënvizoi se “ hartimi i projekt planit dhe konsultimi për të, zhvillohet në momentin e duhur dhe duhet të marrim masat që aksesi i ardhshëm të kontrollohet dhe ajo që është bërë deri më sot të korrigjohet me hapat e duhura. Ky është një proces kompleks që ka nevojë për bashkëpunimin e të gjithëve do të udhëhiqet nga Ministria jonë dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike në të gjithë procesin e tij”.
Projekt-plani propozon disa hapa për marrjen e masave të rehabilitimit të infrastrukturës së kabllove ajror duke përfshirë edhe heqjen e telave jo funksional por që prej dy dekadave qëndrojnë të palëvizura.
Tryeza Konsultative e cila u organizua në bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe u kryesua nga Ministrja Harito, mblodhi së bashku shumë aktorë duke përfshirë përfaqësues nga Bashkia e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Urban, operatorëve të internetit dhe telefonisë fikse në vend si dhe ekspertë të institucioneve publike.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: