Me vetëm pak javë të mbetura deri në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Kamala Harris po shton përpjekjet për të tërhequr votuesit me ngjyrë dhe latinë. Pavarësisht se ka një epërsi të qartë midis të dy grupeve, disa demokratë kanë paralajmëruar se ajo duhet të bëjë më shumë për t’i energjizuar këta votues që të dalin për të në nëntor.
Një sondazh i bërë nga “New York Times” dhe “Siena” tregoi se Harris kishte 78% mbështetje midis votuesve me ngjyrë, krahasuar me rreth 90% mbështetje për demokratët në zgjedhjet e fundit, me meshkujt që përbëjnë pjesën më të madhe të kësaj rënieje.
Pra, çfarë mund të nxisë përfitimet e dukshme të Trump me këta votues?
Një cështje tjetër kryesore për shumicën e votuesve është edhe inflacioni dhe kostoja e jetesës, sipas New York Times. Një shumicë e konsiderueshme e të dy grupeve janë të pakënaqur me gjendjen aktuale të ekonomisë amerikane.
Një ish-votues republikan i Navadës, Diogo Arancivia, u shpreh se “Ka shumë njerëz në komunitetin tim që po ndryshojnë. Shumë njerëz do të votojnë për Trump, vetëm për ekonominë.”
Gjithashtu votuesit me ngjyrë dhe latinët kanë shprehur një shqetësim për imigracionin dhe trajtimin e kufirit SHBA-Meksikë nga administrata Biden.
“Unë jetoj kaq afër kufirit dhe kurrë më parë nuk kam parë një fatkeqësi si ajo që kemi parë nën Kamala dhe Biden,” tha Rolando Rodriguez, një mbështetës i Trump dhe dikur demokrat nga Teksasi.
Të hënën, ndërsa Trump u shoqërua me votuesit me ngjyrë dhe latinë në një ngjarje të bashkisë në Pensilvani, Harris rriti përpjekjet e saj duke lëshuar një listë me propozime politikash që fushata e saj e quajti një “agjendë mundësish për burrat me ngjyrë”.