TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha ka kërkuar sot bashkimin e të gjithë shqiptarëve, të majtë e të djathtë kundër Rilindjes.

Kreu i PD iu ka bërë thirrje qytetarëve të harrojnë ngjyrat dhe të ngrihen kundër maxhorancës që sipas tij po vjedh shqiptarët. Madje Basha kërkoi ‘ta kthejmë buxhetin e 2019, në epitafin dhe gurin e varrit për Rilindjen’.

“Pa dyshim që çdo shoqëri e emancipuar e kupton fare mirë zgjidhjen përpara së cilës ndodhet. Dhe unë ju kërkoj sot, t’i harroni ngjyrat. Mos i shikoni ngjyrat. Pa dyshim vij dhe flas këtu si kryetar i Partisë Demokratike, kemi një alternativë të qartë, për t’i rikthyer paratë në xhepat tuaja.
Por kjo nuk është më një betejë midis së majtës dhe së djathtës.
Kjo është një betejë për ekzistencën apo jo të këtij vendi dhe këtij populli, kundër një grushti shushunjash që tani po përgatitet të vjedhë gjithçka edhe me ligj, siç është ligji i buxhetit dhe ta boshatisë vendin.
Kjo është arsyeja përse ka regjimin më armiqësor ndaj shtresës së mesme, ndasj profesionistëve, ndaj mjekëve, ndaj inxhinierëve, ndaj avokatëve, ndaj ekonomistëve, i takson më mizorisht, se në çdo vend tjetër, për një arsye të vetme, që t’ju ulë kokën dhe t’ju mbyllë gojën. Kam një thirrje për përfaqësuesit e kësaj shtresë. Kuptojeni se kjo nuk është asgjë tjetër veçse një lojë banditeske, e Edi Ramës”, deklaroi Basha.

Ai tha se Rama i rrit taksat që t’iu mbyllë gojën qytetarëve e t’i përçajë.
“Nuk ka nevojë të rrisë taksat mbi ju. I rrit taksat mbi ju, që t’ju kontrollojë. T’ju mbyllë gojën, që të mos reagoni. T’ju ndajë, t’ju përçajë.
Shtresa e mesme, intelektualët, profesionistët, janë ata që duhet të ngrihen të parët. Së bashku me studentët. Edi Rama vazhdon të qëndrojë në pushtet sepse na ka ndarë fije-fije.
Ku secili shikon hallin e vet, indiferent për hallin e vet, le të bashkohemi të gjithë së bashku dhe ta kthejmë këtë buxhet në epitafin e merituar dhe gurin e varrit për organizatën kriminale të “Rilindjes”.
Mos ta lejojmë të shkojë asnjë ditë më tutje, grabitja e taksave tuaja, vjedhja e të ardhmes së fëmijëve tuaja. Shikoni fëmijët tuaj në sy! Nëqoftëse ju ka mbetur pak fuqi dhe jeni drobitur, dobësuar e lodhur nga hallet që ju janë ngarkuar mbi shpinë, shikoni në sy fëmijët tuaj, vogëlushë apo të rinj!
Luftoni për ta, luftoni për të ardhmen e tyre. Ata nuk dorëzohen dhe nuk do të dorëzohen dhe opozitën do ta keni në krah hap pas hapi”, theksoi kreu i PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb