Duket si një shaka, por është e vërtetë. Në një kohë kur fjala “burg” gjëmon në kokën e shtetasve shqiptarë në çdo lajm që lexojnë apo dëgjojnë, ata duhet të heqin nga lista dhe një tjetër sjellje, që mund t’i çojë në burgim për një kohë deri në 3 vite!

Të paktën kështu është projektligji që është hartuar menjëherë pas mbledhjes qeveri-FSHF. Sipas ndryshimeve të propozuara pas nenit 274 të kodit penal, i cili flet për prishje të rendit dhe qetësisë publike, pritet të shtohen dhe 274/a dhe 274/b, të cilat flasin posaçërisht për aktivitete sportive.

Sipas projektligjit, dhuna sportive në ambientet e stadiumeve do të dënohet deri në 5 vite, ndërsa hedhja e sendeve të forta apo e flakadanëve ne stadium dënohet deri në 3 vite burgim. Ndryshimet prekin dhe ndeshjet ndërkombëtare. Kur në të tilla aktivitete në fushë futen persona të paautorizuar, atëherë marzhi i dënimit është 5 vite heqje lirie.

Që pas takimit së kërkuar me ngulm nga ana e FSHF-së me qeverinë dhe tryeza, që u organizua në atë rast, të vetmet projektligje që diskutohen kanë të bëjnë me dhunën në stadiume dhe pyroshoun e tifozëve, ndërsa ende nuk është thënë asnjë fjalë për trukuesit dhe skandalet e njëpasnjëshme të futbollit shqiptar, ato skandale që vërtet kanë djegur shpresën e tifozëve.

Ndërkohë krejt e kundërta ndodh në Gjermani, futbolli i të cilit ka një rritje të jashtëzakonshme në çdo aspekt, si në cilësinë në fushë, besueshmërinë, infrastrukturën dhe spektaklin e tifozëve që organizohet çdo javë, madje klubet e Bundesligës kanë nisur të lëvizin në këtë fushë, duke kërkuar që një pjesë e pyroshout të tifozëve të legalizohet.

Gjithsesi, më shumë sesa kampionati vendës, frika më e madhe e FSHF-së është gjobitja në ndeshjet ndërkombëtare nga UEFA dhe FIFA, pasi duket qartazi politikat me dy standarte të të njëjtës sjellje në kampionatin vendës, që dënohet me 3 vite burg, dhe në ndeshjet ndërkombëtare, që shkon deri në 5 vite burg.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: