KOSOVË- Ministri i Jashtëm serb, Ivica Dacic ka qenë pjesë e konferencës së ministrave të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, “Western Balkans 6”, të organizuar në Prishtinë ku merrte pjesë edhe Shqipëria. Po ashtu, pjesëmarrës në konferencë janë edhe ministrat e jashtëm dhe ata të infrastrukturës të vendeve të rajonit si dhe Komisionari i BE-së për Zgjerimin, Johanes Hahn.

Për të treguar mikpritjen mesa duket, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi i ka ofruar një kafe homologut të tij serb, Dacic në një nga hotelet e Prishtinës që mësohet të jetë i Ish-Presidentit dhe Kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, ku edhe janë fotografuar, raportojnë mediat kosovare.

Asnjë parashikues, nuk do të mund të shkonte kaq larg, sa më 25 nëntor të vitit 1999 të thoshte se, pas 16 vjetësh, në qendër të Prishtinës, pa ndërmjetësues ndërkombëtar, do pinin kafe së bashku Ivica Dacic dhe Hashim Thaçi.

Me 25 mars të vitit 1999, Prishtina kishte qenë padyshim qyteti më i shkretë dhe ndoshta më i rrezikshëm në botë. Po zhvillohej një luftë e dyfishtë: Forcat serbe kundër forcave të UÇK-së në njërën anë dhe forcat e NATO-s kundër forcave serbe në anën tjetër.

Në pozicione krejt të ndryshme ndodheshin Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic: I pari po kthehej nga Konferenca e Rambujesë, në mënyrë klandestine, përmes bjeshkëve që lidhin Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë; I dyti, Dacic, në Beograd, sigurisht diku afër diktatorit Sllobodan Milloshevic, po përcillte deportimin e shqiptarëve për në shtetet fqinje.

Nuk do të kishte një parashikues, që do të mund të parashihte që pas 16 vjetëve, këto dy personalitete do të qëndronin pranë e pranë njëri tjetrit, duke biseduar dhe madje duke buzëqeshur -një Zot e di në çfarë gjuhe. Thaçi qartazi nuk e flet gjuhën serbe, e gjithashtu, as Dacic gjuhën shqipe. Të dytë kanë probleme serioze me gjuhën angleze, por kjo nuk i pengonte aspak që të komunikonin.

Sikur Serbia të kishte ulur kokën para krimeve të kryera në Kosovë, sikur Serbia të kishte kërkuar falje për çfarë trupat e saj kanë bërë në Kosovë, sigurisht fotoja Dacic-Thaçi në Prishtinë do të mund të cilësohej si historike.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: