Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 193 kg produkte të skaduara për asgjësim në një market në Kamëz madje dhe havjar dhe i ka vënë një gjobë prej 800 mijë lekësh të reja subjektit.


Një konsumator ka shkruar në faqen zyrtare në “Facebook” të AKU-së dhe njoftonte tregtimin e produkteve me afat të kaluar përdorimi nga operatori “Market Geni” me adresë në Laknas, Kamëz, AKU kreu kontroll për zbatimin e legjislacionit në fuqi.


Gjatë kontrollit, operatori nuk paraqiti dokumentacionin shoqërues (faturat e blerjes së produkteve) as planin e vetëkontrollit dhe në përfundim rezultoi se shiteshin jashtë afatit të përdorimit produktet e mëposhtme: 73 litra vaj ulliri me datë skadencë dhjetor 2017 dhe tetor 2018 (13 pako me paketim 5lt dhe 8 shishe 1lt); 45 kanoçe birre në total me afat përdorimi 11/5/2018 për 23 kanoçe dhe datë të fshirë përdorimi për pjesën tjetër, produktet e tjera ishin karamele, çokollatë, kafe, qumësht, ujë, lëngje frutash, margarinë etj, madje dhe havjar.


  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në total u bllokuan për asgjësim 193.2 kg produkte ushqimore që mbaheshin nga subjekti në vitrinë për shitje megjithëse u kishte kaluar afati i përdorimit, një pjesë e mire e tyre që në dhjetor 2018.

Për shkeljet e konstatuara dhe bazuar në parashikimet e Ligjit për “Ushqimin” dhe ligjit për “Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, AKU vendosi masat administrative si me poshtë:
Për tregtim produktesh ushqimore përtej afatit të përdorimit, u vendos masa administrative “gjobë” me vlerë 500,000 lekë,
Për mungesë të sistemit të vetëkontrollit (HAÇP), ndaj subjektit u vendos masa administrative “gjobë” me vlerë 100,000 lekë,
Për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë u vendos masa administrative “gjobë” me vlerë 200,000 lekë,

AKU i shpreh mirënjohjen qytetarit që raportoi shqetësimin e tij dhe përgëzon për shpejtësinë dhe saktësinë e reagimit të stafit të AKU-së. Në këtë rast risku ushqimor u menaxhua, por si ky rast (operatorë që tregtojnë produkte të skaduara) mund të ketë edhe të tjerë. E nëse ka, ato përbëjnë kërcënim për shëndetin tonë e duhen trajtuar sipas parashikimeve ligjore, siç u veprua në këtë rast. Së shpejti, me ndryshimit e propozuara në Kodin Penal, tregtimi i produkteve ushqimore me afat të kaluar përdorimi do përbëjë vepër penale dhe do ndëshkohet si e tillë.

(m.k/BalkanWeb)