TIRANË- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto tha sot se sektori hekurudhor në vend ka dhënë sinjale pozitive ndërsa kërkoi që hekurudha të dalë nga dimensionet e rrjetit kombëtar dhe të konsiderohet si pjesë e rrjeteve rajonale.
Haxhinasto përmbylli sot konferencë për veprimtarinë vjetore të Hekurudhës.

Më tej Haxhinasto u ndal tek transporti i pasagjerëve dhe përgëzoi sektorin për planifikimin e 2015-ës në përmirësimin e shërbimit dhe cilësisë së vagonëve.

“Është domosdoshmëri, duhet ta theksoj zgjidhja e çështjes së stacionit të udhëtarëve në Tiranë, pasi ka krijuar një rënie me gati 70% të volumit të pasagjerëve dhe është një shërbim i munguar për qytetarin”, theksoi ai.

Ai u shpreh se një nga projektet e diskutuara është konsolidimi i një shkolle pranë Hekururudhës Shqiptare për specializimin e brezave të rinj. “Jemi në një situatë optimiste. Mund të them se “treni” i hekurudhës është duke ecur në një trase të sigurt dhe ka sot një fytyrë të re. Shifrat dhe rritjet e paraqitura në masën rreth 130%, në këtë analizë sot, tregojnë qartë potencialin e jashtëzakonshëm në këtë sektor”, tha Haxhinasto.

Haxhinasto kërkoi që hekurudha të konceptohet si pjesë e rrjetit rajonal, e korridoreve të rëndësishme dhe veçanërisht e Korridorit të VIII. Ai cilësoi si perspektivë dhe potencial real për hekurudhën shqiptare, shifrat e kapaciteteve në mallra që tregojnë studimet e BISEC.

E konsideruar si pozitive paraqitja e këtij sektori, ai përmendi si zhvillime pozitive gjatë 2015-ës përgatitjen e legjislacionit të ri dhe miratimin e Kodit Hekurudhor, që në aspektin legjislativ do të çojë drejt modernizimit hekurudhën shqiptare dhe sektorin e transportit hekurudhor sipas direktivave europiane.
Ministri Haxhinasto vlerësoi kryerjen e inventarizimit të hekurudhës shqiptare si zhvillim të rëndësishëm në këtë sektor. Projektet e studimit të fizibilitetit për linjat hekurudhore me Kosovën dhe Maqedoninë priten të fillojnë gjatë 2015 dhe linja funksionale me Malin e Zi u vlerësua si një potencial për këtë sektor. “Projekti për linjën hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës i cili është duke u realizuar me financimin e BERZH do të jetë një nga projektet e rëndësishëm për rrjetin tonë hekurudhor”, tha ai.

Ai theksoi se me koordinim më të mirë të politikave në sistemin e transportit do të arrihet të forcohet intermodaliteti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb