Nga ENVER DOÇI*


BURREL – Këtë fundjavë, Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto ka zgjedhur të bëjë një vizitë pune në verilindje të vendit, Burrel dhe Bulqizë, ku garantoi se shumë shpejt do të nënshkruhet marrëveshja konçensionare për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.


Haxhinasto, ndalesën e parë e ka bërë në Burrel tek Ura e Matit, për të parë ecurinë e punimeve për ndërtimin e saj. Kjo urë është ndërtuar para Çlirimit nga italianët, po në vazhdimësi ka shfaqur probleme për shkak të amortizimit të saj, veçanërisht për kalimin e automjeteve të rënda në të që transportojnë mineralin e kromit nga Bulqiza.


Pyetjes së bërë nga gazetarët për mosrealizimin e vizitës së kryeministrit Rama  në qarkun e Dibrës, Haxhinasto ju përgjigj se Kryeministri po interesohet për çdo ditë për ndërtimin e çdo vepre në qarkun e Dibrës veçanërisht për rrugën e Arbërit dhe  patjetër që ai do të vijë për vizitë në të ardhmen.

“Ura me një fond investimi prej 210 milion lekë të reja, po vijon të ndërtohet sipas projektit, me sigurinë dhe cilësinë e nevojshme të ndërtimit të saj.” – tha  në fjalën e tij ministri. – “Po ecën me ritme sipas planifikimit e cila do të ndihmojë shumë zhvillimin ekonomik të kësaj zone. Me disa ndryshime të vogla në projekt besoj se në bashkëpunim me pushtetin lokal, do ndërtojmë me këtë rast edhe një zbukurim, pasi vënia në funksionim e këtyre dy urave do krijojë mundësinë edhe të ndërtimit të një pedonaleje.”

Ndërkohë gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e tunelit në Qafën e Buallit në Bulqizë, ministri u shpreh se “nga çfarë po shohim këtu, po ecet me ritme të shpejta dhe unë bindem se ndërtimi i tunelit do të ndërtohet se shpejti sipas planifikimit më 30 dhjetor. Jam i kënaqur se shoh se punimet në ndërtimin e këtij tuneli po bëhen në standartet e duhura bashkëkohore teknike.”

Pyetjes për ndryshimin e bërë në projekt për shkurtimin e gjatësisë së këtij tuneli, ai iu përgjigj se natyrisht që në vijimësi bëhen përmirësime në projekt. Kështu ka ndodhur edhe me ndryshimin e variantit të projektit për shkurtimin e gjatësisë së këtij tuneli nga 890 metra në 460 metra, që sipas tij jo vetëm që nuk do të cënojë këtë projekt, por kjo do çojë në ofrimin e standarteve më të larta në ndërtimin e tij.”

(ar.sh/BalkanWeb)