TIRANË- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto ka pritur në një takim Ambasadorin e ri të Italisë, Alberto Cutillo. Ministri Haxhinasto uroi ambasadorin Cutillo për detyrën e re, si dhe i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë, duke falenderuar qeverinë Italiane, për mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Haxhinasto gjatë takimit kërkoi nga ambasadori Cutillo, të hiqet sa më shpejt taksa “fikse” që daton që nga viti 1956, dhe rëndon transportuesit shqiptarë të mallrave në Itali. Ministri Haxhinasto nënvizoi se zgjidhja e kësaj çështje duhet të vijë sa më shpejt. Shqipëria është i vetmi vend Evropian që ka këtë problem, tha Haxhinasto.  Gjithashtu ministri shtoi se mes dy vendeve ka bashkëpunim pozitiv në fushën e transportit, ujësjellës kanalizimeve si dhe trajtimit të ujërave të ndotura.

Ministri kërkoi nga Ambasadori Cutillo të ndikojë për prezencë më të madhe të kompanive italiane, për të investuar në sektorët kyç të infrastrukturës dhe shërbimeve.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb