TIRANE

Analistët Fatos Lubonja dhe Baton Haxhiu kanë debatuar në emisionin “Të Paekspozuarit” ne News24, lidhur me mundësinë e korrigjimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. Haxhiu u shpreh se korrigjimi i kufijve është i domosdoshëm dhe një prej arsyeve është se edhe vet serbët e Kosovës, jetojnë shumë keq.

Por, Lubonja u shpreh se ky është një dështim i Kosovës, për të cilin duhet të mbajë përgjegjësi dhe se gjendja aktuale e Kosovës, nuk është reflektim i pengesave nga Serbia, por pamundësia e liderëve për të drejtuar shtetin siç duhet.

Pjesë nga debati:

Baton Haxhiu: Une e kam shprehur përse duhet korrigjimi i kufijve, edhe pse duhet që ne të shkëputemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia. Korrigjimi i kufijve është përparësi politike, por është dhimbje për të gjtihë ata banorë që duhet ti nënshtrohen korrigjimit .

Nuk munden 2 milionë banorë të jenë peng i 24 mijë vetave. A ka ekonomi në pjesën veriore që i krijon problem Kosovës? Mendoj se nuk ka asnjë problem. Dalim tek dy cështje, përparësia politike e korrigjimit dhe dhimbja politike nga korrigjimi. Unë jam për të parën. Dy komunitete, ai serb në veri jeton keq, jetojnë aq keq sa jetojnë një shekull më përpara, jetojmë të izoluar, nuk ka arsim, janë pa lëvizje dhe janë njerëz që do ikin prej aty për shkak të perspektivës.  Cfarë do të ndodhë mbi shqiptarët në Preshevë dhe Bujanovc? 4 mije i kemi në Gjilan, që nuk kanë pasaporta dhe mjete identifikimi.

Fatos Lubonja: The shkëputje sepse nuk po clirohemi dot nga kjo peshë, që kemi në kurriz, që nuk po na lë të lëvizim mirë dhe drejtë dhe të ndërtojmë Kosovën. Për mua kjo është demagogji e keqe. Pra ne nuk po e bëjmë dot Kosovën sepse kemi Serbinë në qafë. Ke pas mundësi të bësh arsim më të mirë, ekonomi më të mirë, drejtësi më të mirë, një shëndetësi më të mirë, një biznes pa korrupsion. Nuk i ke bërë, jo nga Serbia. Kjo alibia, se është Serbia që nuk po na le, prandaj të bëjmë këtë marrëveshjen.

Pavarësinë përse e fituat ju, që të marrë Hashim Thaci pushtetin dhe të pasurohet? Për këtë u bë lufta? Apo u bë që të clirohen shqiptarët e Kosovës dhe të jetojnë më mirë se në Jugosllavi. Kur merr pushtetin dhe në vend te jetojnë më mirë, një pjesë jetojnë më keq dhe ikin, kanë luftuar për Kosovën para 10-15 vjetësh dhe pastaj shkojnë luftojnë për ISIS, kjo është katastrofë. Të thuash që serbët në veri po jetojnë keq, duhet të shohësh edhe përgjegjësitë e tua.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb