Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në Kavajë, dhe që tronditi mbarë vendin, ku u vra 41-vjeçari Dritan Haxholli dhe u plagos polici Bledar Toçi, ndërsa “mollë sherri” ishte 30-vjeçarja Marsida Qatja.

E ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, gazetarja Lala tha se Dritan Haxholli u fut në kurth, duke shtuar se nuk ishte një vrasje për vetëmbrojtje.

Referuar dosjes së Prokurorisë, të cilën “News24” dhe “BalkanWeb” e ka siguruar të plotë, gazetarja deklaroi se polici Toçi akuzohet për “vrasje me dashje” dhe “prodhim e shitje lëndësh narkotike”.

“Zyrtarisht, referuar dosjes hetimore, zyrtari i policisë është akuzuar për “vrasje me dashje” dhe “prodhim e shitje lëndësh narkotike”. Për këtë, Prokuroria kërkon masën e sigurisë “arrest me burg” për policin Bledar Toçi, dhe për vëllanë e tij, Benard Toçi. Në kontrollin e ushtruar në banesën e tyre pas ngjarjes, policia ka gjetur disa doza kokainë.

U vra për vetëmbrojtje? Ka një version më ndryshe, referuar dokumenteve zyrtare. Pas këqyrjes së telefonave. Natën e ngjarjes nuk kanë qenë vetëm tre persona Marsida, Bledari dhe Dritani, por kanë qenë edhe dy miq të Marsidës, Ermir Çela dhe Xhulio Biturku.

Marsida Qatja pasditen e 9 shtatorit i ka kërkuar ndihmë policit, që të largonte Dritan Haxhollin, për problemet që i sillte. Ajo ka pasur një lidhje të gjatë, por kohët e fundit i kishte shkëputur marrëdhëniet me të. Bledar Toçi i ka premtuar asaj se do ta zgjidhte këtë problem. Ai ka shkuar në banesën e saj me dy miqtë e tjerë të Marsidës. Ai ka dalë më pas dhe është rikthyer me disa doza kokaina.

Marsida është mollë sherri e ngjarjes, por edhe viktimë. Dritan Haxholli ka mbërritur më pas në shtëpi, ka qëlluar. Marsida i ka hapur derën dhe e ka ftuar brenda. Haxholli është përballur me Xhuliun, të cilit i ka thënë se ‘me ty kam punë më vonë”. Pastaj është përballur me policin, të cilin e ka pyetur “pse ma bënë këtë gjë” dhe më pas ka qëlluar. Dritan Haxholli u fut në kurth. Edhe Prokuroria e konsideron këtë një vrasje me dashje. Mendoj që Bledar Toci e ftoi, e thirri personin për t’u sqaruar me të.

Kemi një të kërkuar që del me armë, por edhe një zyrtar policie, që bredh me armën e shërbimit. Marsida ka cenuar rregullat e moralit, ajo ka dhënë dëshmi të rreme. Në momentin që Haxholli është qëlluar për vdekje, Toçi është ngjitur në mjetin e tij, e ka ngarë vetë, ka shkuar për ndihmë mjekësore në spitalin e Kavajës dhe më pas Marsida Qatja ka telefonuar policinë”, deklaroi Lala.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb