TIRANE

Avokat Sokol Hazizaj deklaroi se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është vonuar me vetëngritjen e institucioneve të qeverisjes së drejtësisë.

Teksa është bërë pjesë e emisionit ‘Kjo Javë’ të moderatores Nisida Tufa në ‘News24’, Hazizaj tha se pavarësisht faktit që këto ditë u ngrit Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, ende nuk është krijuar KED (Këshilli për Emërimet në Drejtësi), shkruan ‘BalkanWeb’.

“Ecuria e reformës në drejtësi; Mendoj se sot ne nuk mund të flasim për mungesë të realizmit të detyrimeve që ka ushtruar në të drejtën e vet KPK. Ky është një detyrim jo vetëm ligjor, por i kalon ato, duke qenë detyrim kushtetues. Ndaj nuk ngelet gjë tjetër veç se të pohosh faktin se si ka qenë raporti mes të drejtës së atyre që vettingohen, gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe detyrimeve kushtetuese dhe ligjore nga ana e KPK. Rezultatet tregojnë vet. Jo vetëm duke u nisur nga raporti midis të hequrve dhe atyre që nuk janë shkarkuar, edhe për faktin se fryma e ligjit e provokon ose e shtyn drejt detyrimit të përfaqësuesve e të organeve procedurale, për t’u larguar nga gjykata dhe prokuroria. Fakti që dorëheqja mirëpritet, është mesazh i madh për gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët duhet të jenë të vëmendshëm në marrëdhënie që ngrijnë me veten e tyre, sa i përket deklarimeve në ILDKPI. KPK ndonëse po realizon detyrimet ligjore, është i vonuar, ose vonon në mënyrë të drejtpërdrejt ose të qëllimshme, vetëngritjen e institucioneve të qeverisjes së drejtësisë. Sapo janë krijuar KPL dhe KLGJ, por nuk është krijuar KED. Kam përshtypjen se moskrijimi i KED, që është shortuar në Kuvend, që është jokushteutese dhe jo ligjore. Presidenti e shmangu këtë dhe e mbajti si barrë Kuvendi, për mua ka rezerva ligjore, përsëris KED është e pa krijuar. Kjo është situata në drejtësi për shkak të ligjeve që u miratuan në 2016. Për mua nuk kemi filluar ende nga funksionimi normal i të riparuarit të mentalitetit dhe mendimit qytetar mbi drejtësinë”, tha avokati.

Teksa u pyet në lidhje me faktin nëse ai është pro apo kundër reformës në drejtësi, Hazizaj shtoi se: “Për shkak të periudhës së shkurtër kohore nga vitet 90 e deri tani, çdo mendim dhe analizë mbi atë çka konsiderohet reformë në drejtësi, është trajtuar se janë kundër kësaj reforme. Nuk mundet dhe s’ka sesi që çdo qytetar shqiptar, për më tepër kur e ushtron mirë profesionin e tij, të jetë kundër diçkaje novatore, të re dhe racionale. Çështja është tek idetë që mund të ketë njeriu në raport me mënyrën se si zhvillohet reforma. Për mua është çështje e të drejtës. Për mua vazhdon të jetë e rëndësishme që përmirësimi vjen për shkak të pavarësisë brenda trupës. Ne po realizojmë vetëm largimin e njerëzve. Largimi i tyre është i mirëpritur kur bëhet dorëheqje”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: