TIRANË- Grupimi të grupimit “Të mbrojmë Lumenjtë” i ka dërguar dje një letër Kryeministrit Edi Rama dhe ministrave ku kërkon informacion për kontratat koncesionare për ndërtimin e HEC-eve mbi lumin Valbonë. Në letër grupimi thotë se nuk ka vendim qeverie mbi kontratat dhe shtron disa pyetje për të cilat kërkon përgjigje.

LETRA
Drejtuar:
Sh.T. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
Znj. Milva Ikonomi, Ministër, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes
Z. Damian Gjiknuri, Ministër, Ministria e Energjisë dhe Industrisë
Për Dijeni:
Z. Lefter Koka, Ministër, Ministria e Mjedisit
Z. Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin
Z. Julian Beqiri, Drejtor, Agjencia Kombëtare e Mjedisit
Z. Ergys Agasi, Kryeinspektor, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve
Z. Zamir Dedej, Drejtor, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Znj. Rovena Beqiraj, Drejtore e Agjencisë së Drejtimit të Koncesioneve
Znj. Romana Vlahutin, Ambasadore, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri
Z. Robert Ëillton, Drejtues në detyrë, Prania e OSCE në Tiranë
Z. Brian J. Ëilliam, Koordinator i përhershëm i OKB-së në Shqipëri dhe përfaqësues i përhershëm i UNDP
Subjekti: Kërkesë për Informacion
Dragobia Energy Sh.p.k pas 7 vitesh nga momenti i lidhjes së kontratës, sapo ka filluar punimet. Cili është vendimi i “Grupit të Punës së Ngritur për Vlerësimin e Standardeve Mjedisore në të gjitha kontratat e dhëna për ndërtimin e HEC-eve në Valbonë” për këtë kontratë?

I nderuar Z. Kryeministër
E nderuar Znj. Ikonomi
I nderuar Z. Gjiknuri
ju drejtohemi me këtë letër, si vendimmarrësit të cilët mbikëqyrin dhe koordinojnë punën e nismës më fisnike të ndërmarrë në lidhje me ndërtimin e HEC-eve në vend, atë të ngritjes së “Grupit të Punës për Vlerësimin e Standardeve Mjedisore në të gjitha kontratat e dhëna për ndërtimin e HEC-eve në Valbonë” (Grupi i Punës).

Grupi i punës është angazhuar në përmbushjen e qëllimit të tij prej muajit qershor 2016. Gjiknuri në deklaratën e tij shpresëdhënëse na orienton për një proces analize të plotë mjedisore dhe financiare që do të ndihmojë vendimmarrjen. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, kërkesës së grupimit “Të mbrojmë lumenjtë” (Grupimi), për të qenë pjesë e procesit në formë aktive apo si vëzhgues, i ka dhënë një përgjigje diplomatikisht negative nën argumentin e konfidencialitetit.

Ndërkohë që Ministria e Mjedisit e nxit zyrtarisht përfshirjen, Znj. Ikonomi përfundon se grupimi do të jetë i përfshirë në përfundim të procesit të vlerësimit, duke u ftuar të konsultojë raportin e Grupit të Punës.

Duke besuar në vlerën e këtyre komunikimeve, grupimi dhe banorët e Valbonës, janë të paqartë dhe të kapur në befasi nga fillimet e punimeve të kompanisë Dragobia Energy Sh.p.k. pak ditë më parë. Si vijim, ju drejtohemi me disa kërkesa për një informacion më të plotë:

1. Raportet mjedisore të Dragobia Energy Sh.p.k. janë vlerësuar nga ekspertët si shumë të dobëta. Përmbajtja e tyre dhe procedurat e ndjekura kryesisht gjatë konsultimeve me publikun, kanë shkelje flagrante të cilat janë raportuar zyrtarisht dhe publikisht. Megjithatë kompania është pajisur me lejen më të fundit të ndërtimit në shtator 2016. Ju lutemi mund të na bëni me dije se cili është vendimi i Grupit të Punës për këtë kontratë?

2. Në mungesë të raportit të gjetjeve të Grupit të Punës, Grupimi mendon se procesi i vlerësimit të standardeve ende nuk ka përfunduar dhe nuk ka një vendim qeverie mbi kontratat tashmë të lidhura me kompanitë. Ju lutemi mund të na bëni me dije se në çfarë faze është procesi i vlerësimit?

3. Cilido qoftë vendimi që do të orientojë analiza mjedisore dhe financiare e Grupit të Punës përmes raportit, a do të ketë ky vendim vlerë reale, nëse kompanitë koncensionare neglizhojnë këtë proces dhe fillojnë zbatimin e projekteve të tyre tashmë të kundërshtuara nga ekspertët dhe komuniteti?

Janë lidhur 4 kontrata koncesionare për ndërtimin e 14 HEC-eve përgjatë rrjedhës së lumit Valbona, 9 prej të cilave brenda kufijve të Parkut Kombëtar “Lugina e Valbonës”. Prej muajit janar 2016, një lëvizje e fuqishme lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare kundër ndërtimit të këtyre hidrocentraleve vazhdon e gjallë dhe me shumë argumente. Shtyllat kryesore të saj janë: shkatërrimi i zhvillimit lokal përmes eko-turizimit; shkelja e ligjeve mjedisore; mungesa e transparencës dhe përfshirjes së publikut në vendimmarrje.

Ne besojmë tek Grupi i Punës dhe analiza që ai përfaqëson. Megjithatë, nëse ndërtimet e hidrocentraleve nuk pezullohen të paktën deri në daljen e raportit, dyshojmë që gjetjet e tij mund të konsiderohen të vlefshme dhe koherente për të ndikuar vendimmarrjen. Ky Grup Pune do të listojë një tjetër proces fiktiv në qeverisjen në Shqipëri.

Duke ju uruar punë të mbarë, do të vlerësonim informimin mbi këto tre çështje brenda afatit kohor të përcaktuar me ligj për kthimin e përgjigjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: