GRAMSH

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka deklaruar nga Gramshi, ku është zhvilluar dje një dëgjesë me banorët në Holtë, për HEC-in e planifikuar që të ndërtohet atje se nëse dhe një qime floku t’i preket kësaj bukurie do shkohet në anulim. Ai tha se kjo qeveri është ndryshe nga ajo e mëparshmja duke kujtuar protestën për HEC-in e Sotirës.

“Dua që gjithë këtij populli këtu t’i kujtoj një fakt të ngjashëm. Të gjithë e dimë se në Sotirë ka një HEC tjetër, vetëm 40 metër larg ujëvarës. Edhe atëherë u protestua. Ne jemi ndryshe. I falënderoj të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj proteste për të sensibilizuar. Sikur 1% të bëjë dëm në këtë bukuri natyrore do jetë e patolerueshme që të ndërtohet.
Shumë gabim që kompania nuk ka bërë prezantim projekti. Faj kemi dhe ne pushteti vendor apo qendror që nuk e kemi bërë të qartë përfshirjen e njerëzve.
I dashur përfaqësues i kompanisë, këtë gjë duhet ta kishit bërë shumë më parë. banorët na thanë se bllokohet hyrja në kanion. Nëse bllokohet hyrja, dëmtohet kanioni”, deklaroi Balla.

Ai tha se protesta e banorëve ia vlejti pasi solli reagimin e qeverisë. Balla tha se çdo kontratë do kalohet në skaner dhe do të shihen të gjitha letrat për projektin.
“Unë e kam tek protesta. Protesta ia vlejti sepse po të mos ishit bashkuar ju nuk do të ishim ne sot. Sigurisht që në emër të 7 deputetëve të qarkut të Elbasanit dhe grupit parlamentar të PS e falënderoj Belindën jo vetëm për vendimin që mori këtu në Holtë por një numër të madh HEC-esh që nuk janë vënë në funksion të ekonomisë së vendit. Një pjesë tjetër duhen verifikuar në çdo rast. Procesi i pezullimit do të shoqërohet nga një proces shumë sqimatar për të parë letër për letër dhe detaj më detaj të gjithë projektin me garancinë që një qime floku t’i preket kësaj bukurie do shkohet në anulim”, u shpreh deputeti socialist.

Ai theksoi se çdo aset duhet të vihet në dispozicion të zhvillimit të ekonomisë por se duhet të gjendet një ekuilibër midis nevojës së zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së bukurive natyrore. “E gjithë vëmendja jonë është për ju, për banorët e Gramshit dhe për gjithë shqiptarët e ndershëm dhe të zakonshëm të vendit. Të jeni të sigurt se ne do e mbajmë fjalën që dhamë”, deklaroi Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb