DURRËS

Rreth 40 punonjëse të një rrobaqepësie në Fllakë të Durrësit kanë pasur simptoma helmimi. Ato që janë ndjerë më keq kanë shkuar në spital.


Mësohet se aktualisht 8 punonjëse po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Durrësit, ndërsa 2 prej tyre janë dërguar në Tiranë.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi për “BalkanWeb” se punonjëset e helmuara janë të repartit të hekurosjes dhe dyshohet se helmimi ka ardhur nga solucioni i hekurosjes. Punonjëset janë ndier keq, duke pasur të përziera dhe të vjella.


Nëndrejtori i spitalit të Durrësit, Genti Kavaja tha për “BalkanWeb” se gjendja e tyre është e stabilizuar dhe nuk paraqesin probleme të rëndësishme. Vetë gratë që gjenden në spital thanë se në repartin e tyre të hekurosjes 40 punonjëse kanë shfaqur simptoma, si marrje mendsh e te vjella. Por ato që janë ndjerë keq janë paraqitur në spital.


Dyshohet se shkak ka qenë një solucion që përdoret në hekurosjen e rrobave. Megjithatë do të jetë Inspektorati Shëndetësor Shtetëror dhe Drejtoria e Shëndetit Publik të cilët kanë marrë mostrat e analizave të punonjësve së bashku edhe me Inspektoratin Shtetëror të Punës kanë nisur inspektimin në rrobaqepësinë që gjendet në periferi të Durrësit.

Ekipi i urgjencës së spitalit Durrës u përforcua me mjeke dhe infermiere shtesë. Po kështu u evidentuan shtretërit bosh në për të përcaktuar kapacitetin pritës.

Ky nuk është rasti i parë që ndodhin ngjarje të tilla. Dy muaj më parë në një tjetër rrobaqepësi në Durrës punonjëset u helmuan dhe qëndruan disa ditë në spital, ndërkohë që shkaku i helmimit nuk u përcaktua nga autoritetet. Gratë e rrobaqepësisë si në verë dhe në dimër shprehin shqetësim për kushtet e punës që kanë të bëjnë kryesisht me aspirimin e ambienteve ku punojnë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb