TIRANE- Pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për dëbimin e dy diplomatëve rusë nga Tirana, vjen edhe reagimi i ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Mësohet se sot Bushati i ka dhënë vendimin e qeverisë së tij dy diplomatëve rusë, ku iu komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm. Vendimi erdhi pas ngjarjes ku u helmua ish-spiuni rus Sergei Skripal në Britani.

REAGIMI I MINISTIRISË
Deklaratë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme
Sot, në datë 26 mars 2018, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u thirr Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, SHTZ Aleksander Karpushin, të cilit i’u komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik.

VENDIMI
Në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, kryeministri Rama paralajmëroi dëbimin e diplomatëve rusë. “Qeveria do të vendosë për dëbimin e disa shtetasve rusë. Ky është një veprim i koordinuar me vendet e NATO-s. Do dëbojmë rusët që kanë shkelur interesat kombetare

Kujtojmë se sot, SHBA urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve rusë ndërsa Gjermania dhe Franca vendosën dëbimin e 4 diplomatëve rusë. Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk deklaroi se 14 shtete të BE-së kanë dëbuar nga vendet e tyre diplomatët rusë, pasi blloku e konsideron përgjegjëse Rusinë për helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, në Salisbury në Britani të Madhe.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb