Teksa tre persona i zunë pritë dhe e sulmuan me grushte dhe sende të forta, zbardhen detaje rreth gjendjes shëndetësore të avokatit të njohur, Sokol Mëngjesi.

Ngjarja ndodhi rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se Sokol Mëngjesi ka një frakturë në kokë dhe dëmtime të tjera në trup, ndërsa për momentin ndodhet në urgjencën. Konkretisht, avokati ka pësuar dy fraktura, dëmtime te zona e ballit dhe pas koke. Nga këto goditje Mëngjesi ka pësuar dëmtime në pjesën e trurit dhe hemorragji të vogël. Po ashtu ka dyshime se autorët e kanë goditur me dorezë hekuri. Pavarësisht këtyre dëmtimeve, duke iu referuar bluzave të bardha, gjendja e tij paraqitet stabël.

Gazetari Çelmeta raporton se Mëngjesi ende nuk ka dhënë deklarimet e tij, ndërsa po bën të gjitha ekzaminimet në spital. Sakaq, policia ka marrë në pyetje të gjithë qytetarët që janë bërë dëshmitarë të ngjarjes së rëndë, që ndodhi në një zonë të populluar.

Sokol Mëngjesi është avokat me përvojë disa vjeçare në jurisprudencë. Ai është angazhuar si ekspert në fushën e ndryshimeve ligjore nga institucione publike, të tilla si Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës.

Në shtator të vitit 2020, Sokol Mëngjesi u zgjodh Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Mëngjesi ka një përvojë të gjatë edhe në mësimdhënie, ndërsa është autor edhe i një numri të madh punimesh shkencore të paraqitura në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, artikujsh shkencorë të botuar në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe monografish e tekstesh shkollore në Shqipëri dhe Greqi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: