TIRANË

Gazetari dhe botuesi Henri Çili i pranishëm në rubrikën “Opinion” në News 24 duke komentuar retorikën politike mes kryeministrin Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta, tha se këto dy figura kanë patur bashkëpunime dhe rivalitet në karrierën e tyre politike. Ai u kthye te zgjedhjet e 30 qershorit, ku tha se shqiptarët nuk kishin mundësi të zgjidhnin mbi bazën e kritereve të Kopenhagenit.

Gjithashtu Çili u ndal edhe tek veprimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili vendosi tre ditë më parë për t’i mbyllur përfundimisht hyrjen në SHBA ish-kreut të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakos. Sipas tij, kjo është manovër për të treguar se Amerika beson fort në reformën në drejtësi dhe përpiqet të rrisë besimin edhe tek qytetarët shqiptarë, që personat që shpërdorojnë detyrën, janë të padëshiruar në tokën amerikane.

“Kryeministri Rama dhe Meta kanë patur rivalitet dhe bashkëpunime. Në parim duhet të ketë zgjedhje të reja. Në 30 qershor nuk kishim zgjedhje. Shqiptarët nuk kishin alternativë, por u krye një proces votimesh që nuk përmbushi kriteret e Kopenhagenit. Në këtë kuptim kjo duhet të korrigjohet sa më parë.  Shpallja “non grata” është kontribut i aleatëve ndërkombëtarë, që ky proces të ketë një besim për të vijuar më tej, por sidoqoftë kjo është shumë pak, pasi jemi vetëm në fillim. Shoqëria shqiptare do të ndodhej shumë në rrezik, nëse do të kishin një drejtësi të re të kontrolluar nga njëra palë politike. Reforma në drejtësi është e mirëpritur nga ndërkombëtarët”-tha ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb