Nënkryetari i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj u shpreh nga foltorja e Kuvendit në mbështetje të projektdeklaratës së PDIU, lidhur me heqjen e ligjit të luftës me Greqinë. Gjekmarkaj tha se heqja e ligjit të luftës emancipon shoqërinë greke, ndërsa shtoi se është koha për të hapur një proces dialogu për të gjitha çështjet e mbetura pezull me Greqinë.

Deklarata

Në vitin 1938 poeti nobelist grek Seferis, shkruante një poezi për një vajzë korçare të quajtur Antigona; “Ky trëndafil është yti, është yti, mund ta marresh , tani a më vonë, kurdo që të pëlqejë’. Shkëmbimin e këtyre trëndafilave të dashurisë e paqes mes shqiptarëve dhe grekëve nuk duhet ta pengojë asgjë. Sy për sy, mes nesh i thonë që të behemi të verbër.

Qysh kur Urani, Gea e pas tyre Kroni, krijuan tokën, shqiptarët e grekët patën fatin të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin herë duke u përqafuar, e rrallë duke e gjuajtur me shkelma njëri-tjetrin. Pasionet ballkanike janë të furishme, shpesh përjashtuese, bija të një historie ku mitet dhe realiteti nuk përputhen.

Por e vërteta është që ne dhe greket kemi konsumuar shekuj të përbashkët nën të njëjtin sundim fatkeq, nën pushtimin otoman. Mes nesh nuk ka një bazament real urrejtje e mërie.

Revolucioni grek i mbështetur nga qytetërimi perendimor si nevojë gjeopolitike, por edhe rizgjim i vetëdijes për demokracinë athinjote, dhe mendimet homerike, eskiliane, platonike, sokratike, aristoteliane, u bë muzë lirie për gjithë popujt e ballkanit, e kujtesë identitare me pendën e Shellit e Bajronit.

Si dikur në kohën e formimit të identitetit bazik, kur Europa me pelerinat e kuqe të Spartës, ndeshej me Azinë së pari në Termopile, dhe shekuj më vonë në Revolucionin e 1821, shqiptarët u gjendën bashkë me Grekët, si udhëheqës të një lëvizje të madhe për liri.

Tregon pandershmëri nësë Gjeneralët Arvanitas dhe heronjt e këtij revolucioni, nuk i bashkon në togfjalëshin Greko – Shqiptar! Ata e bënë shtetin diku 85 vite para nesh.

Me krenarinë e kësaj ngjarje disa prej qarqeve greke, jo të gjitha, ndonjëherë tentuan, që mitologjinë ta shndërrojnë në histori, në agimin e nacionalizmit, në dëm të Shqipërisë ende të dobët e të sulmuar. Vlen këtu për t’u përmendur periudha 1912-1914 dhe 1918-1919, anipse Ati themelues i shtetit tonë, Ismail Qemali ishte i martuar me një grua greke.

Kohë e errët, kohë masakrash, kohë shoviniste, kohë bandash me të cilat qeveria Greke nuk u identifikua zyrtarisht, duke ja lënë këtë damkë disa terroristëve.

Ne Shqiptarët, shpesh herë përkëdhelemi me Ofiqet që morëm në Perandorinë Otomane, zotësi individuale, ndonëse ajo qe armikja më e madhe e këtij kombi. Ajo na sulmoi në indin tonë, në gjuhë, në shkolla, në vetqeverisje,për gati 5 shekuj.Ajo na mbajti peng deri në fund për pavarësinë, e pas saj na la Beqir Grebenë e Haxhi Babën. Perandoria na deshi si turq e kurrë si Shqiptarë!

Shteti ynë doli i vogël, i dobët, me Kosovën e Çamërinë jashtë tij, por falë Zotit, rilindasve, luftrave, interesave e miqve Austro-Hungarezë e italianë si dhe falë mbështetjes së Presidentit Wilson shqiptarët ishin zotërues të shtetit të tyre.

Në këtë kontekst, e jo rastësisht, dua ti bëj homazh sot një dalëzotësi patriot, e dinjitari të lartë, Abedin pashë Dino ndonëse Ministër i Jashtëm i Perandorisë Osmane, Shqipëtar i Çamërisë, ideatori kryesor i lidhjes shqiptare të Prizrenit, asaj qëndrese që i ktheu Shqiptarët në skenën e gjeopolitikës europiane që nga koha e Skënderbeut. E po kaq respekt i takon dhe dijetarit të madh, Hoxha Hasan Tahsin Shqiptarit tjetër të Çamërisë, i cili para se të bëhej Rektori i parë i Universitetit Shtetëror të Stambollit, u bë Rektor i Rilindjes Kombëtare.

U ndala tek këto dy figura për t’u kthyer tek një plagë e cila mban ende si shpend grabitqar mbi qiellin tonë, ligjin e luftës mes Greqisë e Shqipërisë.

Absurd, sepse që në gjenezë vetë Grekët e pritën Mbretin e shfronësuar Ahmet Zogu tek linte pas një Atdhe, të pushtuar me një Qeveri Kuislinge, pa ushtri, pa diplomaci që nuk kishte se si ti shpallte luftë Greqisë, teksa ishte në luftë vetë për ekzistencë.

Ky ligj le ta themi, është një abuzim historik e politik, ai rri në fuqi për të mbajtur me gur varri sipër, çështjen e çamëve dhe pronave të tyre në Greqi.

Komunizmi i Enver Hoxhës u hoqi nënshtetësinë e nuk u mjaftua me kaq, duke i përbuzur përfolur e persekutuar elitat e tyre, duke u sjellë si gjenocidist me ta.

Nga viti 1913-1944, shqiptarët e Çamërisë u shndërruan në ndërgjegjen e vrarë të Europës, u dëbuan nga tokat e tyre u shpërngulën me forcë drejt Turqisë e cila çuditërisht i mori si turq duke i dhënë Greqisë, grekët e vet. Më vonë në luftën e dytë botërore i akuzoi pa të drejtë, një “casus belli” për t’i shrrënjosur si bashkëpunëtor të nazizmit, një aberracion historik pa të dytë.

Për krimet e Zerves duhej një përligjie. Ato krime i lanë vetëm reflektimi mes kombeve.Mbretëria shqiptare me personalitetet më në pah të diplomacisë e politikës bëri sa mundi për ta sensibilizuar sallonerinë europiane nëpërmjet Mid’hat Frashërit e Rauf Ficos, Fan Nolit e Medi Frashërit.

Madje Mid’hat Frashëri ambasador atje, teksa kujton një bisedë me Kryeministrin Venizelo shkruan :

“Në fjalët e tij z.Venizelo foli edhë për afrinë midis dy racave, për kolaborim historik dhe më kujtoi se një herë në qeveri kishte patur pesë ministra shqiptarë, Repulis, Miaulis, Kunduriotis, Dangalis edhe s’e di kë tjetër”.

Europa ka njohur tragjedi e drama etnike në Alsas Lorene, në Sudete, në Tirol, në Oder – Nise, në Irlandë, por me vullnet, i ka zgjidhur ato në konteksin e erës së re, në respektim të të drejtave europiane e standarteve demokratike si dhe të drejtave juridike mbi pronën.

Greqia vetëm një herë në vitin 1926, në Qeverinë e Pangalosit e njohu statusin e minoritetit Shqiptar, dhe e mohoi atë më pas. Ndërsa Shqipëria e ka njohur statusin e pakicës kombëtare Greke që në vitin 1922.

Ligji i luftës me Shqipërinë qe një dekret mbretëror dhe ai që të hiqet nëse nuk gaboj, kërkon firmosje nga katër ministra dhe kundër firmosje nga Presidenti i Republikës Helene, ndonëse sot si parlamentar shqiptar u drejtohemi kolegëve grek.

Ne jemi vende mike, anëtar të Natos, madje qiellin tonë e mbrojnë edhe avionet grek, kemi një traktat miqësie, të firmosur nga Presidenti Sali Berisha dhe homologu grek, e për këtë jemi krenar. Në vitin 1994, qeveria demokratike hapi çështjen çame për diskutim.Gjatë qeverisë së PD-së kjo çështje u përfshi në deklaratat e departamentit të shtetit!

Në vitin 2013, Edi Rama futi në program çështjen çame, por në vend të formulës “Zero probleme me fqinjët” dha zero zgjidhje për çështjen çame dhe krijoi një galaktikë problemesh me fqinjët,madje dhe me ‘fqinjët’ shqiptarë të Kosovës me ballkanin e hapur të përshëndetur nga Lavrov.

Ne nuk duhet t’u bishtojmë disa të vërtetave. Ne e kemi patur mbështetjen pas vitit 1990 të shtetit grek në proçeset integruese europiane.

E mbi të gjitha në ndihmën e drejtpërdrejtë me emigrantët në ditë të vështira ku thuhet se 700 a 800 mijë jetojnë e punojnë në vendin fqinj, tashmë si kontributor në të gjitha fushat, si ura që kanë rrëzuar muret e së shkuarës.Të dhënat e vrojtimit të qershorit të këtij viti të fondacionit grek për politikë europiane dhe të jashtme mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke tregojnë informimin dhe reduktimin progresiv të paragjykimeve të shoqërisë greke për disa prej çështjeve të pazgjidhura dypalëshe,përfshirë ‘çështjen çame’ megjithatë e dhëna më inkurajuese e vrojtimit të opinionit publik grek ka të bëjë me pranimin gjerësisht të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Greqi si forcë përparimtare ç’ka na imponon një dinamikë të re në marrëdhëniet shqiptaro-greke.

Ndaj heqja e ligjit të luftës, emancipon jo vetëm marrëdhënien mes Greqisë e Shqipërisë por vetë shoqërinë dhe politikën e vendit fqinj.

Ne duhet të kemi kurajo si Parlament i Shqipërisë, të hapim një proçes dialogu për adresimin e të gjitha problemeve të mbetura pezull me Greqinë. Ne duhet të bëhemi strategjikë e jo emocionalë, duhet të jeni bashkëpunues me opozitën për çështje madhore e jo përjashtues.Ne duhet të zgjidhim çështjen e detit për të cilën nuk kemi më asnjë të dhënë nga Qeveria jonë.

A i rri ende Qeveria jonë Gjyqit të Hagës apo ka ndryshuar opinion ? Ku jemi me çështjen e njohur si çështja e detit ? Pse mbeti e papërfunduar negociata e 2017-2018 dhe a jemi tërhequr apo jo zyrtarisht nga kjo negociatë? Është thënë se do ta zgjidhim në Hagë, kur do të shkojmë? Pse nuk e lëshon plotfuqishmërinë Presidenti i Republikës? A është e vërtetë se ekspertiza e huaj (Studio Ligjore e Gruas së Tony Blair), iu ka paralajmëruar përmes një analize se nëse shkojmë në Hagë do të merrnim rezultatin më minimal të mundshëm?Ne me Greqinë duam dialog për çdo gjë e gjithçka, zgjidhje totale të problemeve, një traktat të ri miqësie pa ligjin e luftës në sfond.

Traktati formalisht i bie që është shfuqizuar me 2023, mbasi u zgjat afati 5 vite në heshtje. Më tej duhet ribërë teorikisht, ose së paku rimiratuar ashtu siç ishte. Kryeministri Rama e la në heshtje megjithë kërkesat tona duke e bërë nul.

Ne e pranojmë deklaratën e sotme, duke ju referuar traktatit në princip, por nuk shfajësojmë Ramën, apo shuajmë përgjegjësinë e tij, që nulifikoi traktatin aq pozitiv e të domosdoshëm.

Kemi vite që kërkojmë një rezolutë për të dënuar krimet serbe në Kosovë por Kryeministri dhe mazhoranca nuk lëvizin ndërkohë artificialisht përkeqësojnë raportet me fqinjin jugor. Tashti sic duket dicka i duhet Ramës, por po bëjmë sikur nuk po e kuptojmë! Çështjet dy palëshe të pazgjidhura me Greqinë kanë një gamë më të gjërë se kaq dhe duket që pas një vrulli disavjeçar që prodhoi rezultate të kufizuara ka vite që nuk bëhet asgjë në këtë drejtim.

Dhë së fundi i drejtohem iniciuesit të kësaj deklarate Zotit Idrizi duke e falenderuar për objektin dhe formulimin e saj me shpresën që kjo nuk u fut në kalendarin e punimeve për të ushqyer nacionalizmin folklorik, në suazën e sagës së zgjedhjeve në Himarë.

Ju kujtoj, se çdo qeveri nga ajo e Enver Hoxhës e këtej ka folur kundër ligjit të luftës, pra këtu skemi risi të jemi të vetëdijshëm. Kuvendi po investohet nga grupi parlamentar ‘Demokraci dhe Integrim’ për të diskutuar një çështje për të cilën askush nuk ka asnjë dilemë në Shqipëri. Heqjen e ligjit të luftës Shqipëria e ka kërkuar pas përfundimit të luftës së dytë botërore në Konferencën e Paqes të Parisit në vitin 1947. Dhe në planin dypalësh me Greqinë menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1971 e deri në ditët e sotme, marrëdhëniet me Greqinë kanë rënë në nivelin më të ulët falë politikës diletante të Edi Ramës.

Në Himarë nuk kemi një problem etnik, por një problem demokracie, nuk kemi një problem me Micotaqis por me një Qeveri shqiptare, e cila tjetërson vullnetin politik dhe u ka vënë syrin pronave strategjike. Kemi një problem standartesh për të cilat duhet të shqetësohemi të gjithë, që vota e himariotëve të mos merret peng nga pushteti.

E ftoj qeverinë shqiptare të bëhet patriotike e jo pseudonacionaliste, të jetë racionale e jo provokuese, të jetë mirënjohëse, europianiste e jo mashë në duar të tretësh.

Do të dëshiroja që qeveria dhe parlamenti grek, shoqëria intelektualët dhe shkrimtarët e saj në veçanti, të informohen për këtë seancë e rezolutë të Parlamentit Shqipëtar, dhe ta bëjnë aktin e domosdoshëm të tejkalimit të dobësisë së djeshme për të rrokur forcën e miqësisë së sotme!

Duke përfunduar preferoj të citoj Janis Ricos i cili shprehej;

“I dua vërtetë shumë shqiptarët, janë të mirë, janë të mrekullueshëm, ne kemi shumë gjëra të përbashkëta me ta, histori, traditë, kulturë, këngë e zakone. Nuk kemi me fqinj të tjerë kaq gjëra të përbashkëta sa me Shqiptarët”.

Ju ftoj të gjithëve në mënyrë unanime ta votojmë këtë deklaratë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb