GREQI

Ministri i jashtëm i Greqisë Jorgos Katrugalos gjatë një interviste radiofonike i është referuar ecurisë së marrëdhenieve diplomatike me Shqipërinë duke e vënë theksin te vendimi i autoriteteve shqiptare për të hequr tabelat në gjuhën greke në Finiq.

Katrugalos ka theksuar se për çështjet e hapura me Shqipërinë kryesia politike është në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë shqiptare, përmes përfaqësisë diplomatike greke në Tiranë.

“Kemi angazhim të plotë, kemi dhënë premtime për minoritetin grek në Shqipëri. Vihet re një vonesë, por njëkohësisht kemi mundësinë të ushtrojmë kontroll pasi në qershor diskutohet ecuria e integrimit të Shqipërisë në BE. Kuptohet që ky integrim kalon përmes respektimit të minoritetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me një vend anëtar të BE-së”.

Katrugalos i është referuar episodit më të fundit me tabelat e larguara, duke theksuar se kemi një përgjigje nga pala shqiptare, qeveria Rama, se tabelat u hoqën për të ndryshuar radhën, njëherë shqip pastaj greqisht.

“Mbetet të shohim si do veprohet. Gjithashtu theksoj se as çështja e pronave të minoritarëve nuk është mbyllur plotësisht, pala greke është në pritje. Por në çdo rast, do të ndiqet e drejta ndërkombëtare”.
Si një shembull që duhet ndjekur nga Shqipëria e vendet që kërkojnë anëtarësim është përmendur Maqedonia Veriore, të cilën Katrugalos ka theksuar se e mbështesin plotësisht anëtarësimin, pas vullnetit pozitiv që ka treguar vendi, veçanërisht me marrëveshjen e Prespës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb