NGA FATMIRA NIKOLLI
Duke e konsideruar këtë sezon më ambicioz, drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, tha dje para mediave se nga gjashtë premiera që ishin vitin e kaluar, këtë vit do të jenë tetë. Në një konferencë për shtyp që shënoi hapjen e sezonit të ri artistik e njëherësh edhe një takim për shfaqjen “Kujtesa e Ujit”, Çuli iu përgjigj çdo pyetje të bërë nga mediat, duke nisur nga kontratat e reja, te mungesa e dramës shqipe, një forum-kritik pas shfaqjeve, e premierat e vjetshme që shitën pa fund e vlejtën po aq pak; nga kritika ‘subjektive’ tek gradat e atyre që kanë të ‘drejtën’ të kritikojnë dhe se sa i gjithë debati do i vlejë cilësisë artistike në fund.

SEZONI, KONTRATAT, CILËSIA
Na pret një sezon ambicioz tha Çuli nga holli i teatrit përshtatur si sallë konference, mes sendeve që kanë shërbyer në skenat e shfaqjeve. “Kemi 30 shfaqje më tepër në kuptimin e reprizave nga 15 shtator 2016 deri më 20 qershor 2017. Para zgjedhjeve ne vëmë në skenë “Gratë në parlament”- pra imagjinoni tua japim ju në dorë. Këtë sezon kemi 8 premiera nga 6 që kishim vjet”.

I pyetur për kontratat me aktorët, ai tha se janë në ditët që firmosen të rejat, ndërsa në përgjigje të pyetjes a ka pasur shkëputje kontrate, ai tha: “Në raportin e institucionit nuk do kemi ndryshime. Bërthama do ruhet. Do rikthehet Luiza Xhuvani me ‘Lukrecia Borgia’, do rikthehet po ashtu Luli Bitri, e cila rivjen në Shqipëri përgjithmonë dhe në Teatrin Kombëtar po ashtu. Kemi edhe dy prurje të reja që do i lëmë për më vonë”.

Mandej ai bëri publike idenë e forumeve pas shfaqjeve. Pas premierave, një grup artdashësish e astritësh do të mblidhen për të ‘gjykuar’, ‘vlerësuar’ a kritikuar shfaqjet. “Tryeza do jetë me njerëz të artit, ndërsa salla e hapur. Të pranishmit mund të bëjnë pyetje. Tryeza do jetë sa më demokratike e transparente, ku mund të kritikohet, por edhe të mbrohet shfaqja, gjë që i bën mirë kurimit”, tha Çuli, duke pranuar se miqësitë ose armiqësitë për shkak të mendimit të thënë hapur mund të jenë të pashmangshme dhe se kjo mund të jetë edhe e “rrezikshme”.

Sa i takon shfaqjeve si “Kujtesa e ujit”, që vjen nga jashtë teatrit me financim nga Ministria e Kulturës dhe donatorë privatë, Çuli tha se “është zgjedhje e imja ekskluzive që ti zgjedh, por këshillohem që të mos jetë shfaqje ‘bulevardi’ e as shfaqje ‘kitch’. Pra qasja është për vepra të mëdha”.

A do ketë shkëputje kontratash me artistët dhe kontrata të reja? Çuli tha se ka lëvizje, ka kontrata 4 mujore e 2-vjeçare. “Një pjesë e aktorëve për shkak vjetërsie dhe intensiteti kanë përfituar kontrata 2 vjeçare”.

Më pas, sa i takon debatit me aktorin e regjisorin nga Kosova, Enver Petrovci, i cili ka kritikuar Teatrin Kombëtar për mungesë të dramave shqipe në skenë, Çuli u ndal disi gjatë. “Çështja e Teatrit Kombëtar dhe marrëdhënia me dramën shqipe është e hapur. Jam njeriu që ka iniciuar ‘Leximi i dramës shqipe’. Megjithatë, jam kundër idesë që për hir të dramës të vëmë drama që mund të mos jenë cilësore. Ka pak regjisorë që mbrojnë në bord një dramë shqipe. Unë do doja që kur vijnë të jenë të mira e kjo ndodh pak. Megjithatë, në janar fillojnë leximet e dramës dhe mbase jam shprehur pak para kohe”.

Një tjetër pikë e diskutuar ishte ajo e pagesës së aktorëve që kanë marrë pjesë në leximet e dramës shqipe. Ata kanë thënë se nuk janë paguar për angazhimin që kanë pasur. “Është punë vullnetare e secilit. Ata që punojnë në teatër e kanë detyrim, të tjerët kanë qenë vullnetarë. Unë nuk mund të paguaj pa pasur një kontratë të nënshkruar me ta. Nëse dikush prej tyre ka dashur të paguhet, duhej ta kishte kërkuar”, tha Hervin Çuli, mbasi kërkoi të dinte se kush është ankuar se nuk është paguar.

Cilësia artistike e shfaqjeve mbetet ende një pikë ku debatet s’kanë fund. Referuar shfaqjes “Zbutja e kryeneçes” me regji të Elma Doresit, i pyetur nga gazetarët se si është e mundur që një regjisore- shfaqja e së cilës është kritikuar vitin e shkuar, është sërish sivjet në Teatrin Kombëtar me një shfaqje tjetër, pra si mundet që nuk është marrë parasysh kritika e vjetshme, Hervin Çuli u ndal gjatë.

“Ka një statistikë ekselence institucioni. Ajo ka qenë një ndër tri shfaqjet që ka pasur publik dhe ka shitur çdo biletë edhe natën e fundit që është vënë në skenë. Ka qenë një ndër shfaqjet më të suksesshme në 25 vite. Ka pasur edhe kritika kafenesh për atë shfaqje, megjithatë, unë di që ajo ka pasur sukses. Mbase për këtë duhet bërë forumi, që ata që flasin të jenë të fushës”.

“KUJTESA E UJIT”
Mbrëmë u vu në skenë shfaqja “Kujtesa e Ujit” me regji nga Rozi Kostani. Pjesa e Shelgah Stephenson u interpretua nga aktorët Olta Daku, Rajmonda Bulku, Neritan Liçaj, Marin Orhanasi, Violeta Trebicka dhe Jonida Vokshi. Ky projekt është një prodhim i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe ka gjetur edhe mbështetje private.

Kostani u shpreh para mediave se pjesa e ka ngacmuar artistikisht e shpirtërisht. “Jam e lumtur që kam staf të tillë aktorësh me Rajmonda Bulkun e të tjerë. Kemi punuar 3 muaj për të. Tri motrat vijnë në varrimin e mamasë ku prezente është edhe shpirti i saj. Pjesa është shkruar në vitin 1997 dhe është afër nesh. Shtrati- që shihet në skenë tërë kohës, është ‘nevoja’ ime që të jetë pezull, në ajër dhe të ketë lëvizjen e ujit. Kujtesa e ujit-që përplaset me gjithçka- është jeta me pak fjalë. Kam dashur të krijoj në ambient ndjesinë e ujshme”.

Regjisorja tha se pjesa është e mirë dhe jo limonadë as karamele dhe duke pasur material të mirë nxjerr edhe diçka të mirë. Sa i takon zgjedhjes së aktorëve ajo tha se për shembull për rolin e Rajmonda Bulkut, ka dashur “një mama me grintë, me një sens mase në llojin e shpërfaqjes. Ajo është shpirt po jo fantazëm. Ndërsa Olta Daku, duke parë energjitë e saj, e kisha të nevojshme ta kisha, sepse personazhi i saj merret me çdo gjë që merret me çdo gjë. Është fëmija i madh që merr barrën e shtëpisë. S’ka më mirë se Olta”. Kostani tha se janë gërshetuar dramatikja me komiken e tragjiken. Duke folur mbi përkthimin ajo tha se në fillim ka pasur probleme e më pas redaktimin e fundit e ka bërë vetë. “Mendoj se kemi arritur të bëjmë të përçohet vepra. Sigurisht mund të ketë akoma gjëra të mbetura, por besoj se vepra ka ardhur e tëra. Nuk mendoj se ka cedime në të kuptuarin e pjesës”.

Aktorja Rajmonda Bulku në fjalën e saj vlerësoi pjesën dhe tha se “dialogu është i vërtetë. Është një copëz jete e hedhur kaq bukur në skenë- ku ke raporte të ndryshme që i jetojmë çdo ditë. Shpirti i personazhit që interpretoj nuk ka ikur akoma sepse ka disa gjëra që nuk i ka thënë dot dhe i thotë pas vdekjes, siç edhe ne në jetë nuk i themi dot të gjitha. Jam mahnitur dhe kam thënë se kemi veten tonë në këtë tekst. Ajo pjesë përderisa vihet në tërë botën ka përmasa sociale të mëdha. Është e pamundur të jesh në vepër kaq shumësa tek kjo”. Shfaqja u vlerësua edhe nga Jonida Vokshi e Violeta Trebicka.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb