Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Një përplasje mes drejtorit të Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli dhe regjisores Sesilia Plasari sa i takon cilësisë, ka çuar në tërheqjen e kësaj të fundit nga shfaqja “Liri në Bremen”. Shfaqja e cila u vu në skenë si premierë muaj më parë, u rivu këtë javë. Veçse “Liri në Bremen” këtë herë do të vihej me disa ndryshime, për të cilat drejtori i TK dhe regjisorja e shfaqjes nuk kanë rënë dakord. Lajmi konfirmohet nga vetë Plasari.
Përplasja
Pas diskutimeve mes palëve dhe mospëlqimit nga regjisorja të zgjidhjeve që i janë vënë para nga ana e drejtorit të TK, Plasari është distancuar nga shfaqja dhe ka lënë teatrin. Shfaqja është dhënë pa aprovimin e regjisores, e cila nuk pranoi të jepte një shfaqje të ndryshuar, të cunguar, të ripunuar në urgjencë dhe të pasigurt, duke e parë “Liri në Bremen” si të pamjaftueshme cilësisht. Ajo ka bërë një letër në protokollin e Teatrit, ku refuzon shfaqjen, por nga ana e Teatrit është marrë vendim që gjithsesi shfaqja të vihet në skenë. Ajo që përbën shqetësim për Plasarin është fakti se “Liri në Bremen” u vu në skenë pa u vënë në dijeni publiku se regjisorja është distancuar prej saj dhe pa e hequr emrin e autorëve si jopjesëmarrës, konkretisht regjisorja. Mësohet se problemi kyç është fakti se Plasari nuk e konsideron atë shfaqje origjinale, por të ripunuar e të ndryshuar. Mësohet po ashtu se ajo ka dashur që më së paku publiku të lajmërohej se po shikon një shfaqje me të cilën autorja ka shkëputur marrëdhënien e të cilën ajo nuk e sheh si punën e saj. Është ironike se si një shfaqje, që në një farë mënyre tregon guximin e një femre për të luftuar shtypjen dhe të shtypurin kthehet në një përplasje mes regjisores së njohur femër dhe një Teatri i cili më së paku nuk e ka kuptuar mesazhin e shfaqjes së vet. Pjesa e autorit gjerman Rainer Wender Fassbinder është interpretuar nga aktorët Gladiola Harizaj, Ndriçim Xhepa, Anastas Kristofori, Vasjan Lami, Pjerin Vlashi, Sokol Angjeli, Anila Bisha, Nneta Malaj, Naun Shundi, Gerti Ferra, Indrit Çobani dhe Anil Frashëri dhe Bujar Asqeriu.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb