Opozita e votuar e shqiptarëve(mori 475 mijë vota në qershor 2017) i provoi të gjitha për të bindur partnerët tanë ndërkombëtarë në drejtësinë e kauzës së saj. Kauzë që e nxori jashtë parlamentit dhe po e mban në rrugë për mbi dy muaj e gjysmë. Mirëpo asnjë shenjë nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të që të miratojnë veprimin e saj ekstrem. Asnjë deklaratë e ndonjë ndihmëszëvendës-sekretari amerikan të Shtetit për Evropën Lindore dhe Azinë. Të gjithë emisarët e shumtë të Bashkimit Evropian, nga raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian tek Komisionerja(ministrja) e Punëve të Jashtme të BE-së apo Komisioneri për Zgjerim nuk janë ndierë. Nuk kanë artikuluar qoftë edhe një fraze të vetme në mirëkuptim apo mbështetje të veprimit opozitar. Mirë qytetarët, që janë indiferentë në përgjithësi dhe kryesisht shprehen vetëm një herë në katër vjet me votën e tyre, që nuk dalin masivisht në protestat e saj dhe në bllokimin e rrugëve, po ndërkombëtarët, pse aq indiferentë? Nuk u intereson atyre që populli shqiptar vuan? Që drejtohen nga një shtet i kapur nga oligarkët dhe nga një qeveri e martuar me krimin?

Pse heshtin këta tribunë dhe mbrojtës të shqetësimeve masive popullore kudo në botë(rasti më i freskët situata shpërthyese dhe protestat në Venezuelë), e jo më në Europë? Diçka nuk duket se shkon në arsyetimet e opozitës sonë të votuar. Madje një pjesë e ndërkombëtarëve janë shprehur haptazi që opozita të kthehet në parlament dhe të hyjë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019. Nuk ka qoftë edhe një drejtues të lartë ose të mesëm të strukturave të Bashkimit Europian, apo të vendeve anëtare të BE-së, që të ketë thënë një frazë të vetme në mbështetje të opozitës sonë reale, asaj të votuarës. Mos vallë ajo duhet të rishikojë pozicionimin e saj? Kur të gjithë të lënë vetëm, diçka vërtet nuk shkon. Si do ta vazhdojë kauzën e saj kjo opozitë? Ja do të përshkallëzojë edhe më fort bllokimin e boshteve të rëndësishëm rrugorë. Ja bllokimi i rrugëve mund të rritet në kohë në tre orë apo edhe katër. Mirëpo ky bllokim vetëm se i vendos qytetarët e bllokuar kundër opozitës. Si zor t’i ndërgjegjësojë ata në kauzën opozitare, t’i kthejë më keq kundër qeverisë. Çfarë do të ndodhë nesër më 11 maj në protestën e përgjithshme të opozitës, që nuk ka ndodhur më 16 shkurt dhe 21 mars? Në dy protestat e mëdha të mëparshme të saj? Do të kemi dy herë më shumë qytetarë në bulevard? Opozita e votuar duket se i ka shkarkuar të gjitha mjetet e saj demokratike të protestës. Vendosja e saj në terrenin e panjohur të mosbindjes civile më shumë mbush me pasiguri vendin dhe bllokon ekonominë, se sa të karikojë qytetarët e pakënaqur me qeverisjen e sotme. Ose të detyrojë qeverinë të zbresë në tryezën e bisedimeve për një qeveri tranzitore dhe të pajtimit kombëtar. Ndoshta mund ta kishte bërë një gjë të tillë kjo qeveri, e shtyrë nga një presion i jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Mirëpo ky presion jo vetëm që nuk është i jashtëzakonshëm, por ai duke se nuk ekziston fare.

Në të kundërt, ndërkombëtarët disa herë kanë theksuar se kjo qeveri e sotme është legjitime dhe e zgjedhur rregullisht. 11 maji nuk mund të përmbysë numrat që nuk i dhanë dorë opozitës të deklaronte se shumica e popullit është me të. Kjo do të kishte ndodhur, nëse në shesh dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të mund të zbrisnin pesë herë më tepër njerëz se sa në 16 shkurt dhe 21 mars, pra rreth 100 mijë vetë. Mirëpo kjo si zor të ndodhë nesër. Dhe opozita e votuar nuk ka më mjete për të rritur presionin e saj protestues. Seriozisht dhe sinqerisht, opozita i ka provuar të gjitha, për të nxjerrë qytetarin e thjeshtë në rrugë. Por ai, kokëfortë, nuk i ka dalë. Militantët po. Por edhe ata janë disi të lodhur pas kësaj gare të gjatë me pengesa. Që është protesta pa frymë dhe pa program konkret afatgjatë. Disa fishekzjarrë si të ndonjë emisioni të ‘Zërit të Amerikës’, apo disa ish-figura perëndimore të lodhura që erdhën në Tiranë, vetëm sa regëtinë pak shpresë, por nuk arritën të ndezin zjarrin e një proteste me sfond simpatinë e ndërkombëtarëve dhe Perëndimit. Heshtja e tij, indiferenca e akullt e ndërkombëtarëve për protestat dhe bllokimet e opozitës po kthehen në shuarës dhe vrasës të pamëshirshëm të entuziazmit të protestës opozitare. Si dhe të gjasave që ajo kësisoj të mund të sjellë një qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme në Shqipëri./Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: