Një ditë pas marrjes në pyetje për rreth 5 orë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, SPAK ka dhënë informacion zyrtar lidhur me hetimin që ka nisur ndaj Kryetarit të Bashkisë, si dhe për veprat penale.
SPAK në njoftimin zyrtar në lidhje me kallëzimin ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj nga ana e shtetasit A. N, bën të ditur se, mbi bazën e informacionit të referimit të veprës penale datë 08.02.2024, i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka regjistruar Procedimin Penal nr. 27/2024 ndaj tij.
Sipas SPAK, ky procedim fillimisht trajton veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, sipas nenit 260 të Kodit Penal.
Prokuroria vijon duke njoftuar se informacioni për referimin e veprës penale ka buruar nga një kallëzim i bërë nga një shtetas i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, kanë referuar informacionin përkatës, mbi bazën e të cilit është regjistruar procedimi penal.
Në deklaratën e SPAK thuhet më tej se deri në këtë fazë të hetimit paraprak, provat e grumbulluara kanë çuar në përfundimin se ekzistojnë të dhëna konkrete që lidhen jo vetëm me korrupsionin pasiv, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
(BalkanWeb)