Gjykata e Posaçme pranoi një kërkesë të SPAK dhe urdhëroi kontroll në një apartament në Tiranë, që besohet se përdorej nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ndaj të cilit po zhvillohen hetime për 4 vepra penale. Vendimi për kontroll u firmos nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj dhe mban datën 14 janar.

Bëhet fjalë për apartamentin nr.11/4 në Sky Tower, një kat sipër qendrës Harabel që zotërohet nga bashkëshortja e kryebashkiakut. Burimet thanë për News24 se kontrolli ka përfunduar dhe prej andej janë marrë dokumente dhe pajisje elektronike, të cilat do të vlerësohen nga prokurorët e posaçëm nëse mund t’i shërbejnë hetimit të rastit. Më herët, më 6 dhjetor 2024 SPAK ushtroi kontroll në kompanitë e Ajola Xoxës si dhe Arbër Veliajt, vëllait të Erion Veliajt.

Hetuesit sekuestruan edhe celularët e tyre, si dhe të disa personave të tjerë lidhje miqësore e çiftit Veliaj-Xoxa. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u mor në pyetje në fund të dhjetorit për më shumë se 5 orë. Më pas në një dalje publike i zgjedhuri vendor deklaroi se po hetohet mbi një denoncim të dorëzuar nga Nesti Angoni, një person që sipas tij nuk ekziston.

I menjëhershëm ishte reagimi i prokurorisë së posaçme, e cila deklaroi se kryebashkiaku po hetohet për disa akuza, si korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb