Përkrahja për Presidentin Donald Trump është rritur, duke arritur në 46%, sipas një ankete të organizatës Gallup. Ky është niveli më i lartë i përkrahjes që nga ditët e para të presidencës së zotit Trump. Disa republikanë thonë se është koha për të lënë pas procesin hetimor lidhur me ndërhyrjet ruse. Por nuk duket se Presidenti Trump, apo kritikët e tij demokratë janë të gatshëm për një kapitull të ri. Të ndjekim materialin e korrespondentit të Zërit të Amerikës, Jim Malone:

Gjatë tubimit për fushatë në Florida, presidenti u kujtoi përkrahësve përfundimet e raportit të Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller: “E patë çfarë ndodhi? Nuk u zbulua bashkëpunim i fshehtë. Nuk u zbulua pengim i drejtësisë. Asgjë. Duan të vazhdojnë me këtë marrëzi. Ndoshta po e analizoj gabim, por kështu si po shkon po na çojnë drejt fitores në 2020-ën, pasi njerëzit e kuptojnë çfarë po ndodh”.

Hetimet nuk zbuluan bashkëpunim të fshehtë mes fushatës së presidentit dhe Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2016-ës. Prokurori Mueller nuk doli me konkluzion lidhur me dyshimet për pengim të drejtësisë, por as nuk u shpreh se presidenti ishte provuar i pafajshëm. Presidenti ka deklaruar disa herë se raporti e nxori të pafajshëm. Republikanët thonë se ka ardhur koha për ta lënë pas procesin hetimor. “Përfundoi. E kuptoj përse miqtë tanë të kahut tjetër politik janë të zhgënjyer. Janë përpjekur kaq shumë për të gjetur një mënyrë që të anulonin rezultatin e zgjedhjeve të 2016-ës,” tha kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell.

Demokratët po përpiqen ta ndëshkojnë Prokurorin e Përgjithshëm William Barr për mosbindje ndaj Kongresit, sepse nuk pranoi të dorëzonte raportin e Prokurorit Mueller në formë të plotë. “Ata po bllokojnë të drejtën e amerikanëve për informacion. Është e papranueshme,” thotë ligjvënësi demokrat Jerry Nadler. Megjithatë, mes demokratëve ka dy kampe, pro dhe kundër fillimit të procesit për shkarkimin e presidentit, raporton Voa.

“Procesi për shkarkim është një ndër më përçarësit që mund të ndërmarrim. Nëse e marrim atë rrugë, duhet t’i kemi të garantuara shanset e suksesit,” tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Republikanët kontrollojnë Senatin, duke i bërë shumë të vështira shanset e suksesit në procesin për shkarkim që mund të hapin demokratët, thotë eksperti David Abraham: “Një proces për shkarkim që nuk ka aspak mbështetje nga republikanët do të përshkruhet gjatë fushatës zgjedhore si vazhdim i gjuetisë së shtrigave nga demokratë që nuk duan ta pranojnë se humbën zgjedhjet”.

Hetimet mbi ndërhyrjet ruse mbeten një temë e hapur politike dhe do të jenë pjesë e debatit presidencial, thotë eksperti John Fortier: “Demokratët janë shumë të pakënaqur me presidentin, ndërsa shumë prej republikanë janë shumë të kënaqur me të. Kjo formulë krijon mobilizim politik. Megjithëse krijon situatë të acaruar, ajo i nxit njerëzit të dalin e të votojnë në zgjedhje”.

Megjithë zhurmën që shkaktoi procesi hetimor, popullariteti i Presidentit Trump ka mbetur pak a shumë i pandryshuar, thotë analisti Matt Dallek: “Niveli maksimal që ka arritur është mjaft i ulët… rreth 44%. Nuk ka kapur kurrë 50% mbështetje. Është hera e parë që kur filluan anketat që një president nuk kap nivelin 50% të mbështetjes. Por edhe niveli minimal është mjaft i qëndrueshëm. Ai nuk ka rënë asnjëherë nën 36%”. Presidenti vazhdon të deklarojë se raporti e nxori të pafajshëm, ndërsa demokratët do të vazhdojnë seancat dëgjimore mbi veprimet e administratës. Por fjala e fundit u takon votuesve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: