Gjykata e Posaçme e Apelit ka rënduar pozitat ligjore për Mariglen Qaton dhe Redi Mollën, duke i konsideruar si grup të strukturuar kriminal.

Në vendimin e gjyqtarit të GJKKO, Florian Kalaja, argumentohet se Apeli  i GJKKO nuk pajtohet me kualifikimin e veprës penale nga SPAK dhe Shkalla e Parë, si ‘bashkëpunim i thjeshtë’ si formë bashkëpunimi që ka ekzistuar ndërmjet Redi Mollës dhe Mariglen Qatos.

“Lidhur me kualifikimin e veprës penale nga Prokuroria dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë, të bashkëpunimit të thjeshtë si formë e bashkëpunimit që ka ekzistuar ndërmjet Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, gjykata ndan qëndrim krejt tjetër dhe nuk mund të pajtohet në këto pjesë të kërkesave dhe vendimeve.

Gjykata vlerëson se në rastin konkret ka dyshime të arsyeshme se bashkëpunimi ndërmjet subjekteve të proceduar penalisht dhe atyre eventualisht të paproceduar penalisht deri më tani, nuk ka qenë i thjesht por, duke kaluar kufijtë e këtij organizimi sporadik dhe episodik, ka qenë i mirëmenduar, i planifikuar, me një kohëzgjatje të qëndrueshme dhe i vijueshëm ndër vite, nën një mekanizëm pothuajse identik në çdo episode të kryerjes së veprave penale materiale të dyshuara dhe me një pluralitet subjektesh si bashkëpunëtorë, karakteristika këto të cilat të marra parasysh dhe të vlerësuara të gjitha së bashku, plotësojnë parashikimin/ përkufizimin e pikës 4 të nenit 28 të kodit penal””, thuhet në vendimin e Apelit të GJKKO-së.

Ish-drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato po gjykohen për korrupsion dhe fshehje pasurie, bashkë me Taulant Tushen, i arrestuar më herët nga SPAK.

Në vendimin e Apelit, arsyetohet se Grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e nuk është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe strukturim të zhvilluar.

“Në këtë kuptim, gjykata ndan pikëpamje të ndryshme nga SPAK dhe Shkalla e Parë lidhur me kualifikimin juridik të faktit penal të bashkëpunimit i cili i kundrejtohet Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, duke e kualifikuar sakaq bashkëpunimin e tyre, me personat e tjerë të proceduar apo jo eventualisht përgjegjës, persona fizikë apo persona juridikë, si bashkëpunim penal i posaçëm, dhe i kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Nën këtë logjikë, Gjykata vlerëson se edhe kualifikimi juridik i dyshimeve të arsyeshme të kundrejtuara ndaj Nestor Muhametllari, sipas nenit 244 të Kodit Penal, është i gabuar, pasi ai dyshohet arsyeshëm se është bashkëpunëtori-mëkëmbës dhe ndërmjetës i Redi Mollës dhe Mariglen Qatos në veprimtarinë e shoqërisë 5D konstruksion shpk”

Apeli i Posaçëm gjithashtu urdhëron SPAK të hetojë edhe për ndërtimin e një hoteli në Durrës, duke kërkuar nga SPAK duhet të marrë në pyetje shtetasen Jona Bejko, për të mësuar dijeninë që ka, të dhënat apo informacionet që di rreth këtij hoteli.

Gjyqtari Florian Kalaja, vlerëson se duhet bërë një hetim i plotë për të verifikuar këdo person fizikë apo zyrtarë në qoftë dhe zbulimin e lidhjeve që kanë patur interesa financiare.

“Gjykata vlerëson se është e nevojshme dhe e domosdoshme për ecurinë e mbarëvajtjen e hetimit që Jona Bejko të pyetet dhe të hetohet lidhur me të dhënat e përmbajtjes së këtij komunikimi apo të kësaj dijenie të saj, duke e verifikuar gjithashtu edhe ekzistencën e këtij projekti në Durrës, natyrën e investimit të tij dhe kontributin apo përfshirjen e subjektit tregtar 5D KONSTRUKSION në këtë investim dhe gjithashtu edhe identifikimin e plotë të subjekteve që hasen apo që kanë interesa nga kjo shoqëri tregtare, qofshin ato persona fizikë, zyrtarë apo jo dhe qoftë edhe persona juridikë të tjerë të lidhur me të”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb