NGA KLODIANA LALA

Pak ditë pas goditjes së një grupi prej 15 personash, për çështje terrorizmi, dy prej të arrestuarve në Kosovë, kanë pranuar të bashkëpunojnë me drejtësinë dhe të japin detaje konkrete për sulmin terrorist që ishte planifikuar të ndërmerrej ndaj ekipit izraelit, që do të ndeshej me Shqipërinë në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Krahas përgjimeve, dëshmitë e tyre, janë një tjetër provë fajësie ndaj të akuzuarve për kryerjen e veprave me qëllime terroriste dhe nxitje të urrejtjes fetare, ku katër prej tyre, imami i vetëshpallur Xhezair Fishti, mjeku Bekim Protopapa, berberi Ergys Faslia dhe Medat Hasani po mbahen në qelitë e paraburgimit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, përmes letërporosisë do të kërkojë të marrë zyrtarisht nga kolegët e saj në Kosovë dosjen në fjalë, me qëllim për të provuar se katër të arrestuarit në Shqipëri, bashkëpunonin ngushtë me këtë grup, që u godit pak ditë më parë.

Mbi bazën e përgjimeve, është ndërtuar gjithashtu edhe skema sesi do të goditej kombëtarja Izraelite.
Burime të besuara thanë për News24 e BalkanWeb se grupi e kishte planifikuar me detaje sulmin terrorist.

Burimet sqaruar se Kombëtarja e izraelit do të sulmohej në momentin që do të zbriste në stadiumin Loro Borici të Shkodrës, pak përpara fillimit të ndeshjes. Fillimisht, në ambientet e jashtme të stadiumit do të shpërthehej një sasi e madhe tritoli dhe më pas në drejtim të futbollistëve, që të dyshuarit gjatë bisedave të përgjuara i cilësonin “qafirë”, do të qëllohej me armë të rënda.

Ndonëse, nga përgjimet, është tërësisht e qartë skema sesi do të sulmohej ekipi izraelit dhe se urdhrat ishin dhënë nga Lavdërim Muhaxheri eksponent i shtetit islamik ISIS, të pasqaruara mbeten rolet e gjithsecilit prej të dyshuarve.

Hetimet për ketë grup kanë nisur prej kohësh, ende pa u dënuar nga gjykata e krimeve të rënda, grupi prej nëntë personash, për të njëjtat vepra penale.
Madje në kuadër të tyre në një burg të sigurisë së lartë është ushtruar kontroll dhe është gjetur një flamur i shtetit islamik.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb