NGA AURORA KOROMANI*-TIRANE-Hetimet për denoncimin e nënës 20-vjeçare, e cila pretendon se i kanë ndërruar foshnjën në maternitet, kanë nxjerrë në pah të vërteta të tjera që lidhen me këtë ngjarje. Burime pranë grupit hetimor sqarojnë se, përveç hetimit të stafit të maternitetit, janë duke hetuar edhe në një tjetër pistë.

Të njëjtat burime pohojnë se ka dyshime se e gjitha kjo histori e ka pikënisjen tek dyshimet e babait të foshnjës për atësinë e tij. Mësohet se Sh.Ç., bashkëshorti i 20-vjeçares, përveç ndërrimit të foshnjës, ka pasur kundërshtime edhe për atësinë e fëmijës dhe për këtë ai ka bërë denoncimin në polici, që përmes ADN-së së foshnjës të zbardheshin të dyja të vërtetat. Këtë fakt e pohojnë edhe burime pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, pranë të cilit është dërguar edhe trupi i pajetë i foshnjës. Sipas burimeve të sigurta nga mjekësia ligjore, ka pasur një kërkesë për marrje mostre të gjakut të foshnjës, nga nëna e tij, por jo nga babai, pasi ai ka pasur kontestime për atësinë e foshnjës.

Ndërkohë, nga blutë e kryeqytetit vijojnë hetimet për të kuptuar nëse vërtet foshnja është ndërruar në maternitet, apo e gjitha kjo histori fsheh një të vërtetë tjetër. Denoncimi pranë Policisë së Tiranës është bërë në 16 nëntor, nga shtetasi Sh.Ç., i cili ka pretenduar gjatë dëshmisë së tij se në maternitet pas lindjes së foshnjës, mjekët i kanë thënë se ka lindur e vdekur, duke ngritur dyshime tek familjarët për ndërrim të mundshëm të foshnjës.

Ndërkohë, pas marrjes së këtij denoncimi, kufoma e bebes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar ADN-në dhe shkakun e vdekjes. Në kuadër të denoncimit të SH.Ç. për veprën penale të “Ndërrimit të fëmijës”, policia ka sqaruar se kanë nisur hetimet në ngarkim të disa shtetasve.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: