TIRANE- Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri ka përfunduar pas rreth 60 minutave dëshminë e tij në Prokurorine e Krimeve të Rënda lidhur me hetimet për segmentin rrugor Tiranë-Elbasan. Pas përfundimit të dëshmisë, Gjiknuri u shpreh se ishte thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni dhe personit që ka bërë kallëzim.
“Dëshmova në cilësinë e personit që ka dijeni dhe që mund të ndihmojë për zbardhjen e ngjarjes. Nuk kam ndonjë gjë për të shtuar përveç atyre që janë në audit. Unë nuk jam këtu për të bërë hetime. Isha thirrur në cilësinë e personit kallëzues dhe pres që hetimet të kenë sukses”- tha Gjiknuri.
Kështu, pas arrestimit të tre ish-zyrtarëve të ARRSH dhe dëshmive të ish-ministrave si Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj, Gjiknuri do të jetë ministri i 3-të i Transporteve që do të pyetet nga organi i akuzës. Ai ka mbërritur pak minuta më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ishte pikërisht Gjiknuri ai që kallëzoi skandalin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Gjiknuri është parë në hyrjen e Krimeve të Rënda i shoqëruar nga një person.
Dëmi i përllogaritur nga Prokuroria për abuzimet me tenderët dhe amendimet e kontratave me kontraktorët shkon në 37 milionë dollarë. Më herët në organin e akuzës ka dëshmuar Afrim Qendro, i komanduar si Drejtor i Autoritetit të Rrugëve.
AUDITI:
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përmbyllur procesin e auditit të kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar mbi rregullshmërinë e ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Në vijim të konkluzioneve të këtij auditi, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ka dërguar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda kallëzimin penal në ngarkim të shtetasve:
- Dashamir Xhika, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë.
- Aksel Qurduka, ish-Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
- Albens Alite, Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të Rrugës Tiranë-Elbasan, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë.
Përmes kallëzimit, kërkohet fillimi i ndjekjes penale ndaj personave të kallëzuar dhe persona të tjerë, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer veçmas dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.
Konstatohet se personat e lartëpërmendur, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, veçmas dhe në bashkëpunim, kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë ndjekjes dhe zbatimit të kontratave per ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan. Ky fakt ka shkaktuar pasoja të rënda për interesat e Buxhetit të Shtetit dhe të publikut, si dhe ka krijuar kushte për përfitime të padrejta materiale nga subjekte juridike private.
Personat e kallzuar, të cilët kanë ushtruar apo ushtrojnë funksione publike, me veprimtarinë e tyre, krijojnë bindjen e arsyeshme se me veprimet e mosveprimet, kanë patur edhe qëllime korruptive dhe duhet të jenë rezultat i pranimit të ofertave apo i premtimeve për përfitime të parregullta nga vet personat e kallëzuar.
Procesi i auditit konstatoi efekte financiare me dëm ekonomik në vlerën 53,983,340 USD. Përveç kësaj, është konstatuar edhe një shkelje e disiplinës financiare në vlerën 16,117,926 USD nga nënshkrimi i amendamenteve të kontratës pa burime financimi.
Nr. | Vlera në USD | Përshkrimi i efekteve financiare me dëm ekonomik |
1. | 25,220,016 | Nga mos argumentimi i vonesave për zgjedhjet teknike e financiare të çështjeve të dala, mos zbatimi i detyrimeve të lëna nga Këshilli Teknik për kontraktorin, duke i lënë hapësirë atij për pretendime në zbatimin e projektit për segmentin nr.1, duke mos përfshirë asistencën e Avokaturës së Shtetit. |
2. | 11,665,552 | Nga mos argumentimi i vonesave për zgjidhjet teknike e financiare të çështjeve të dala, duke i lënë hapësirë kontraktorit për pretendime në zbatimin e projektit për segmentin nr.3, duke mos përfshirë asistencën e Avokaturës së Shtetit. |
3. | 10,816,007 | Punime të kryera, të përfunduara më parë si dhe të likujduara para nënshkrimit të amendimit të kontratës nr.8, nr.prot 9172, datë 07.11.2016. |
4. | 2,916,900 | Diferencë midis çmimit të aplikuar dhe atij të llogaritur në punimet e kryera në zërin e ri A-6.1 “Geogrid Macgrid WG15”. |
5. | 1,269,000 | Transport materiali i pajustifikuar me volumet e gërmimit të preventivuar, në zërin D-1, VO “Rehabilitation of Landslide at 11+000”. |
6. | 972,074 | Diferencë midis çmimit të aplikuar dhe atij të llogaritur në punimet e kryera tek “Useku i Mulletit” (Mullet Cut), për 2 zëra punimesh që nuk janë në kontratën bazë. |
7. | 632,839 | Nga nënshkrim amendamenti kontrate me vlerë më të madhe se vlera e diskutuar dhe miratuar në parim nga palët. |
8. | 454,000 | Nga pagesa dy herë e projektit (Useku i Mulletit) |
9. | 36,952 | Nga diferenca midis çmimit të aplikuar dhe atij të llogaritur për zëra punimesh në segmentin nr.1 në zërin furnizim vendosje gjeogrid biaksial Tult=100 kN/m. |
53,983,340 | VLERA TOTALE E DEMIT NE USD |
(ed.me/BalkanWeb)