Me anë të një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e emisionit “Open” analisti Fatos Lubonja ka folur në lidhje me hetimin e SPAK ndaj Fatmir Mediut në lidhje me çështjen e Gërdecit, teksa ka thënë se gjithë procesi është një lëvizje për të paraqitur drejtësinë e re si funksionale.

Sipas tij ky proces synon të shesë sikur drejtësia po bën gjëra që ajo e mëparshmja nuk i ka bërë dot, duke bërë një “show”.

Lubonja shtoi më tej se ngjarja e Gërdecit duhet të sillte reflektim në politikën e vendit, gjë që nuk ka ardhur dhe sipas tij nuk ka për të ardhur.

“Është evidente, këtu nuk kemi të bëjmë me një drejtësi që po fillon të funksionojë si duan ta paraqesin por është kjo pseudo drejtësi që vihet në lëvizje dhe tani sepse siç e dini ka përditë skandale. Halli i këtij procesi është të shitet sikur gjëra që s’janë bërë më parë po bëhen nga kjo drejtësia e re, është thjesht një show ndoshta edhe ndërkombëtar. Ajo është ngjarje e rëndë, që do duhet që shqiptarët ta kishin përjetuar si diçka që duhet t’i fuste në tjetër rrugë në lidhje me pushtetin, raportet me biznesin, etj, mirëpo ky reflektim nuk ka ardhur e nuk do vijë.

Kjo ngjarje është e lidhur me një emër shumë të famshëm, me Delijorgjin që ishte i lidhur me gjithë partitë atë kohë dhe kapi këtë biznes dhe i shpërtheu në dorë, por ajo tregoi si shteti vihet në funksion të këtyre njerëzve që të bëjnë fitime në kurriz të njerëzve të tjerë. Politika nuk ka reflektuar fare, Delijorgji doli nga burgu dhe nuk e kujton njeri për Gërdecin, por për pallatet që ngre te rruga e Kavajës.

Hetimi i Mediut s’ka lidhje me drejtësinë që po funksionon, kjo ka të bëjë me diçka që duhet shitur, sa për të larë gojën këta të SPAK-ut, me demek se po bëjnë diçka”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: