Ervin Salianji, kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar për TIMS-in, në një intervistë për gazetarin Osman Stafa në News24, tha se do t’i shkohet deri në fund hetimit parlamentar, pavarësisht pengesave që krijohen si pasojë e vendimeve të ndërmjetme.

Salianji tha se sistemi TIMS nuk përfshin vetëm hyrje-daljet e qytetarëve shqiptarë, por edhe qytetarëve nga vendet partnere. Në këto kushte ai tha se kjo ëhstë arsyeja që ka një sensibilitet të lartë dhe interesim të madh për të zbardhur atë që ka ndodhur.

“Do të bëjmë të pamundurën për ti shkuar deri në fund kësaj çështjeje, pavarësisht se me vendime të ndërmjetme po pengohemi.

Do të bëjmë transparencën deri në fund. Deri më tani në Komision kanë dhënë llogari drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe ministri i Brendshëm, që kanë dhënë dëshminë e tyre nën betim, sikundër parashikohet në ligj”, tha Salianji.

Ai u shpreh se është bërë një katrahurë me emërimet, ndërsa më e rënda është se justifikohen me togfjalëshin gabim njerëzor.

I pyetur nëse janë fshirë informacione të caktuara nga sistemi TIMS, Salianji u shpreh se të paktën për disa persona është faktuar se sistemi nuk i ka sinjalizuar hyrje-daljet e tyre kur kanë kaluar kufirin, megjithëse kanë qenë në kërkim. Kjo sipas tij do të thotë se kjo mund të jetë bërë për mijëra të tjerë.

“Do të përfundojmë hetimin brenda afateve, që është data 21 korrik dhe të gjitha gjetjet dhe raportin përfundimtar do e çojmë në organet e drejtësisë, SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm, sikundër e parashikon ligji.

Nuk ka asnjë sekret shtetëror në dëshmitë e dhëna deri më tani.

Të dhënat që morëm nga drejtuesit e Policisë së Shtetit ishin llahtar. Ajo që mund të them është se është keqpërdorur jo vetëm policia e shtetit, por edhe ligji”, tha Salianji.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb