Ervin Salianji, Kryetar i Komisionit Hetimor për sistemin TIMS, tha se ky komision ka arritur të zbulojë edhe më shumë se sa ka menduar se mund të zbulonte në nisje të punës së tij.

Salianji tha se ky komision do t’i bëjë një shërbim të madh sigurisë kombëtare në vend.

“Kemi dëgjuar llahtarë nga dëshmitarët që janë paraqitur në këtë komision, edhe pse për socialistët mund të mos konsiderohen të tilla”, tha Salianji.
Në Komisioin Hetimor si dëshmitare është paraqitur Ervina Gjana, drejtore e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit.

“Duke qenë dëshmitë u dhanë me dyer të mbyllura dhe struktura që unë drejtoj është hetimore, do të preferoja të jepja dëshmi me dyer të mbyllura”, tha ajo.

Deputeti socialist Xhemal Qefalia, duke marrë fjalën tha se nëse seanca do të zhvillohet me dyer të hapura ose të mbyllura, e vendos Komisioni. Në këtë kuadër ai ka kërkuar që të hidhet në votë vendimi se si duhet të zhvillohet mbledhja.

Në replikë me Qefalian, Salianji tha se nuk mund të vijojë historia që ti kërkojmë dëshmitarëve të sjellin shkresa paraprake, ndërkohë që deri më sot nuk jemi njohur me asnjë dokument sekret.

“Jemi përpara kundërthënieve, çfarë ka thënë njëri nuk thotë tjetri. Ndaj le të jetë publiku që do e vendosë, duke bërë transparente punën tonë”, tha Salianji. Dhe në vijim të replikës me Qefaliajn, Salianji tha: “nëse s’qëndron kjo që them tërhiqem, por nëse gënjen ti, tërhiqesh”.

Ai tha se mbledhjet do të jenë të hapura nëse nuk ka dokumente të klasifikuara. Por me votat e socialistëve që janë në Komisionin Hetimor u vendos që mbledhja të vijojë me dyer të mbyllura.

“Me 7 vota pro të socialistëve dhe 6 kundër të opozitës, u vendos që mbledhja e Komisionit të zhvillohet me dyer të mbyllura. Ne këtu kemi qenë, asnjë nga dëshmitarët nuk ka dhënë dëshmi që përbëjnë sekret, por duket se socialistët nuk duan transparencë”, tha Salianji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb