Prokuroria Themelore në Gjilan ka sjellë vendimin për nisjen e hetimit ndaj dy pjesëtarëve të komunitetit serb, me inicialet T.T. dhe D.D. të cilët më 10 korrik janë arrestuar në vendkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”, në kufirin Kosovë-Serbi, për veprën penale të spiunazhit.


Siç thuhet nga Prokuroria, ata kanë provuar që dokumentacionin e caktuar të Kosovës ta bartin në Serbi. Pas mbajtjes për 48 orë në paraburgim dhe pas intervistimit të tyre nga ana e prokurorit kujdestar në Departamentin e Krimeve të Rënda, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt, derisa të verifikohet nëse dosja që ata bartnin përmban dokumente të klasifikuara me ligj ose dosja nënkupton sekretin shtetëror.


Personat e arrestuar janë Dalibor Dajic, drejtor i Shkollës së Mesme Teknike në Vërbovc të komunës së Kllokotit dhe Trajan Trajkovic, që mban postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Shkollës Fillore “Mladen Markovic’ në Viti, shkolla që punojnë sipas plan-programit të Serbisë.


Policia e Kosovës ka gjetur në automjetin e tyre dokumentacionin e kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanovic, duke përfshirë, dy diploma, kontratën dhe librezën e punës si dhe vendimin e fundit mbi marrëdhënien e punës. Dejanovic, njëkohësisht, është shef i kontabilitetit në Shkollën e Mesme Teknike në Vërbovc, por është edhe në marrëdhënie pune në shkollën fillore në Viti.

Prokuroria verifikon nëse dokumentet janë të klasifikuara
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Liridona Xheladini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se personat e dyshuar janë liruar në bazë të procedurës së rregullt, marrë parasysh se nevojitet të verifikohet nëse dosja e gjetur tek ata përmban dokumente të klasifikuara sipas ligjit ose nëse ato dokumente janë sekret shtetëror gjë që sipas kësaj prokurorie, “do të shkaktonte pasoja të rënda për sigurinë e Kosovës”.

“Ndaj personave të dyshuar, prokurori i rastit ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe dosja, të cilën e posedonin, e që kishin për qëllim ta dërgonin në Republikën e Serbisë, përmbante dokumentacionin e kryetarit të Komunës së Kllokotit, duke përfshirë, dy diploma, kontratën dhe librezën e punës, si dhe vendimin e fundit mbi marrëdhënien e punës”, tha Xheladini.

Siç ka marrë vesh Radio Evropa e Lirë, nga burime të afërta me hetimin, Dajic dhe Trajkovic gjoja se në mars të këtij viti, kanë marrë detyrën nga inspektori i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (me mbiemrin Arsic), që dokumentacionin origjinal të Bozhidar Dejanovicit ta bartin në zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Vranjë, për të verifikuar vendosjen e marrëdhënies së punës të Dejanovicit.

Lidhur me këtë ka qenë i informuar edhe Departamenti për Arsim në Mitrovicën e Veriut. Ky trup e mbikëqyr sistemin e arsimit, i cili në shkollat në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, zhvillohet sipas programit të Ministrisë së Arsimit të Serbisë. Aty, pas kontrollit, janë urdhëruar që dokumentacionin e Dejanovicit ta bartin në Vranjë, sepse në të kundërtën do të përjashtoheshin. Pas kësaj, më 10 korrik, Dajic dhe Trajkovic ishin nisur për në Vranjë.

Kush e lajmëroi rastin në polici?
Dejan Vasic, avokat i Trajan Trajkoviqit, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë thotë se dokumentacioni i Bozhidar Dejanovicit ka pasur të bëjë me marrëdhënien e tij të punë me shkollën dhe jo me Komunën e Kllokotit.

Ai shton që, sipas deklaratës së klientit të tij, ata janë nisur për në Vranjë me dokumentacionin, pasi kanë marrë pajtimin e Ministrisë së Arsimit të Serbisë, “gjë që është procedurë e zakonshme dhe ligjore”.

“Verifikimi i dokumenteve për të cilat dyshohet se mund të jenë objekt i spiunazhit, sipas meje, janë dokumente publike. Ato janë dokumente që ruhen në secilën shkollë, sikurse diploma, dokumentet që dorëzohen me rastin e themelimit të marrëdhënies së punës. Si të tilla, ato nuk mund të paraqesin dokumente të fshehta dhe kurrfarë sekreti shtetëror. Nga këndvështrimi i mbrojtjes, konsideroj që këtu nuk ka kurrfarë elementesh për çfarëdo vepër penale e lëre më për dyshim të tillë të rëndë se bëhet fjalë për spiunazh”, theksoi avokati Vasic.

Ai ka shtuar se edhe arsyeja se pse Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka kërkuar dorëzimin e dokumenteve të Bozhidar Dejanovicit, që është i angazhuar në dy shkolla, është për faktin që “ekziston një denoncim se dokumentet e tij janë të falsifikuara, gjegjësisht që ai nuk e ka kryer shkollimin për të cilin paraqitet”.

“Për këtë shkak, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka kërkuar zyrtarisht nga shkolla që t’i dorëzojë dokumentet, në mënyrë që të verifikohet besueshmëria e asaj diplome”, theksoi Vasic.

Në pyetjen se pse atëherë drejtorët e shkollave kanë hezituar që nga muaji mars që t’i bartin ato dokumente, ai ka thënë që “prapavija e lëndës do të zbulohet kur të ndriçohet se kush e ka lajmëruar rastin te Policia e Kosovës”, e që më pas pasoi kontrolli policor i automjetit.

Lista Serbe, subjekt polik udhëheqës i serbëve të Kosovës dhe Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, kanë reaguar ashpër ndaj arrestimit të Dajicit dhe Trajkovicit, duke thënë se me këtë “po vihet në pikëpyetje e drejta e popullit serb për arsimim”.

Kush është Bozhidar Dejanovic?
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur që ta kontaktojë Bozhidar Dejanovicin, i cili si pjesë e Listës Serbe është zgjedhur për kryetar të Komunës së Kllokotit, në zgjedhjet komunale të Kosovës, në vitin 2017, në raundin e dytë të votimeve. Përveç kësaj, ai punon edhe në dy shkolla, sipas sistemit të Serbisë.

Mediat asokohe patën shkruar për situatën jo të rëndomtë që kishte ndodhur gjatë zgjedhjeve në Kllokot, në qendër të së cilës është gjetur vendimi i papritur i përfaqësuesve të Listës Serbe.

Do të thotë, Lista Serbe, në raundin e dytë të votimeve, pati mbështetur Bozhidar Dejanovicin nga nisma qytetare “Kllokot-Vërbovc” dhe jo kandidatin e vet Strahinja Spasic, të birin e ish-kryetarit të Kllokotit, Sreçko Spasic.

Shpjegimin që pati dhënë Lista Serbe ka qenë që Dejanovic, pak ditë para zgjedhjeve i ishte bashkuar Listës Serbe. Sreçko Spasic, më vonë iu bashkua kundërshtarit politik të Listës Serbe, Partisë së Pavarur Liberale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: